KDI-ja bën thirrje që të gjithë të respektojnë vendimin e Kushtetueses

Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga palët të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatarin.

Përmes një komunikate për media, KDI thotë se vendimi i djeshëm i Gjykatës lidhur me dekretin e Presidentit ka sqaruar disa prej dispozitave dhe parimeve më të ndjeshme që ndërlidhen me formimin e qeverisë, duke evituar situata të bllokimit edhe në të ardhmen.

“KDI ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe institucioneve të vendit që të respektojnë në plotni aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si institucioni vetëm që ka përgjegjësinë për interpretimin e Kushtetutës, dhe i cili është obligativ për të gjitha institucionet në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

KD thotë se është në përgjegjësi të të gjitha palëve që të përmbahen nga gjuha dhe veprimet jodemokratike.

“Është në përgjegjësinë e të gjitha palëve të përmbahen nga gjuha dhe veprimet jodemokratike, duke siguruar tranzicion të qetë të pushtetit, i cili është qenësor për të ruajtur funksionimin e shtetit. KDI rikujton se vendi ndodhet para proceseve të rëndësishme politike dhe sfidave ekonomike, që kërkojnë konsensus dhe funksionalitet të plotë të institucioneve”, thuhet në njoftim.

KDI thotë se “përkrahë të drejtën e qytetarëve për të shprehur mospajtimet e tyre nëpërmjet protestës, për sa ato janë demokratike dhe nuk prodhojnë tensione të cilat do të mund të dëmtonin të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

Reklama e sponzorizuar