Zyrtarët e Organit Shqyrtues të Prokurimit e kanë vlerësuar të paligjshëm anulimin e një aktiviteti të prokurimit nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) si Autoritet Kontraktues.
Të njëjtit kanë marrë vendim për ta anuluar vendimin e KEK-ut për tenderin me titull “Ndërtimi i sistemit për kthim të ujit nga liqeni në deponinë e hirit në Mirash në TCB për trajtim” dhe të njëjtin e kanë kthyer në rivlerësim, shkruan KOHA.
Siç thuhet në arsyetimin e vendimit të OSHP-së, Autoriteti Kontraktues gjatë këtij aktiviteti të prokurimit ka zbatuar procedurë të hapur, lloji i kontratës është punë, me vlerë të mesme. Tutje thuhet se KEK-u e kishte eliminuar operatorin ekonomik ankues “Diamanti” sh.p.k. Prishtinë, pasi i njëjti nuk e kishte ofruar certifikatën për pompa dhe gypa sipas kërkesës në dosjen e tenderit.
Ndërkohë, më vonë, zyrtarët e KEK-ut kanë potencuar se kompania ka prezantuar certifikatën PED të kompanisë së tyre dhe jo të prodhuesit të pompave (GRUNDFOS) dhe prodhuesit të gypave (KONTI HIDROPLAST DOOEL). Por, këtë e kishte kontestuar operatori ankues përmes kërkesës për rishqyrtim. Operatori ekonomik ankues “Diamanti” sh.p.k.- Prishtinë, si palë e pakënaqur, ka deponuar ankesë në OSHP më datën 15.04.2020 me nr. 247/20, kundër njoftimit për anulim të këtij aktiviteti të prokurimit duke pretenduar se Autoriteti Kontraktues ka vepruar në kundërshtim me nenet 1, 6, 7, 59, 60, 62, 69 dhe 72 të Ligjit për prokurimin publik të Republikës së Kosovës, si dhe nenin 44.5 të RRUOPP-së.