Kompanitë e gjobitura të naftës i kërkojnë Kuvendit shkarkimin e anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës

Kompanitë e naftës do t’i drejtohen Kuvendit të Kosovës me kërkesë për shkarkim të anëtarëve të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Sipas tyre, dënimi prej 4 milionë eurosh për 14 kompanitë me pretendimin se kishin manipuluar çmimet, është i pabazuar dhe joprofesional, raporton KOHA.

Kanë përsëritur qëndrimet se do të apelojnë vendimin, ndërsa ndaj anëtarëve të Autoritetit do të ushtrojnë padi.

Reklama e sponzorizuar

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, në një konferencë për media ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur marrëveshje mes kompanive apo çmim kartel.

Vendimin e Autoritetit të Konkurrencës e kanë quajtur arbitrar edhe përfaqësuesit e kompanive të gjobitura.

AKK-ja ka konstatuar se këto kompani kanë çrregulluar konkurrencën tregtare gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të 2018-s. Në nëntorin e kaluar AKK-ja kishte gjetur fakte se shkaku i kurdisjes së çmimit të naftës, fitimi i kompanive ishte rritur deri në 124 për qind, duke shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Më 6 maj të këtij viti ka vendosur të shqiptojë masa ndëshkuese administrative në shumën prej 4 milionë eurosh të totalit të të hyrave për gjashtë 6-mujorin e vitit 2018 ndaj 14 kompanive nën hetim.