Kosova është një ndër vendet e pakta në botë që nuk mund të testojë efikasitetin e barnave të reja tek pacientët e prekur me Covid-19.
Në mungesë të një baze ligjore, vendi ka mbetur jashtë hulumtimeve dhe testimeve botërore për efektet e vaksinave dhe ilaçeve, të cilat së fundmi kanë nisur të testohen në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Shqipëri, raporton KOHA.
Pa Kosovën rreth 270 vende, përfshirë ato të rajonit, do të jenë pjesë e këtyre hulumtimeve klinike.
Javë më parë një kompani amerikane ia kishte ofruar Kosovës një donacion për të kryer testime për barin remdesevir.
Bari nuk është lejuar të testohet, ndërsa në Klinikën Infektive ende nuk kanë të dhëna të sakta se cila terapi ka dhënë më shumë efekte tek pacientët me Covid-19.
Aktualisht në QKUK pacientët janë duke u trajtuar me barin hidroksiklorokina, i cili javën e kaluar u raportua si bari i cili shton rrezikun te pacientët që kanë pasur probleme me zemër.
Por infektologët thonë se këtë ilaç nuk e kanë përdorur këta pacientë.
KOHA për këtë ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Neni 84 i Ligjit për Shëndetësi në Kosovë ndalon hulumtimet klinike në njerëz.