Një numër i madh i kosovarëve, të cilët punojnë rregullisht si punëtorë sezonalë në fermat austriake, mund të mos e gëzojnë të drejtën e punës këtë vit.
Rreth 220 punëtorë sezonalë nga Ukraina të premten kanë arritur në aeroportin e Linz-it. Ata kryesisht do të ndihmojnë në mbledhjen e luleshtrydheve (dredhëzave). Fermerët austriakë të perimeve dëshirojnë një mundësi të ngjashme edhe për punëtorët e tyre të rregullt nga Kosova.
Por, fermerët kosovarë ende nuk kanë mundur këtë vit t’ i bashkohen firmës me të cilën kanë kontratë, ndonëse posedojnë leje të punës. “Atyre u mungojnë vizat, sepse Ambasada e Austrisë në Kosovë është e mbyllur. Kësisoj as shërbimet nga kjo ambasadë nuk mund të kryhen”, shkruan orf.at, përcjell Albinfo Austri
Punëdhënësit e fermerëve kosovarë, të cilët janë nga Eferding, një fshat në Austrinë e Epërme, thonë se po kërkojnë nga Qeveria e Austrisë që t’i lehtësojë masat për arritjen e tyre në Austri.
Në anën tjetër, qeveria ka premtuar se është duke u angazhuar për të krijuar lehtësime për punëtoret sezonalë që të punojnë gjatë kësaj vere në fermat austriake.
Siç thuhet në mediat austriake, paga e këtyre punëtorëve sezonal është 1500 euro në muaj.