Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe kryesuesi aktual i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, kanë thënë se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte i rrezikshëm dhe se “politika që nuk ka pasur sukses gjatë luftërave të viteve 1990”, është kërcënimi më i madh me të cilin përballen këto dy vende.
Kurti dhe Xhaferoviq kanë biseduar të premten në telefon për marrëdhëniet dypalëshe për situatën me koronavirus dhe për bashkëpunimin në nivel kulturor dhe historik, është bërë e ditur nga Qeveria në detyrë e Kosovës.
Siç ka njoftuar kabineti i Kurtit, Xhaferoviq e ka falënderuar atë për heqjen e taksës 100 për qind ndaj prodhimeve të Bosnje-Hercegovinës ndërsa Kurti ka thënë se Kosova nuk do ta trajtojë Bosnjën njësoj sikurse Serbinë.
Më 1 prill, Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr taksën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës, por ndaj Serbisë ka vendosur masa reciprociteti.
Ky vendim është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara.
Përndryshe për shkëmbimin e territoreve më herët kanë folur presidentet e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, mirëpo kjo ide ka shkaktuar debate të shumta, si në Kosovë ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.
Kurti ka thënë më 20 prill se marrëveshja që e synon i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfshin edhe shkëmbimin e territoreve.
Grenell në anën tjetër ka reaguar ndaj kësaj deklarate, duke thënë se nuk ka pasur bisedime për një gjë të tillë.