LDK-ja i dorëzon në Kushtetuese komentet në lidhje me dekretin

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se bashkë me deputetët Driton Selmanaj e Shkëmb Manaj kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, komentet në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe disa deputetëve lidhur me masën e përkohshme që kjo gjykatë e ka vënë ndaj dekretit të presidenti Hashim Thaçi i cili e ka nominuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.

Gashi ka thënë se pret që Kushtetuesja të vendosë në favor të drejtësisë kushtetuese dhe promovimit të demokracisë në vend.

“Dorëzuam në Gjykatë Kushtetuese komentet në emër të GP të LDK-së dhe po ashtu disa kolegë deputetë kanë dorëzuar komente me rastin që ka të bëjë me masën e përkohshme. Por presimin gjykimin final besojmë se do të kemi gjykim fer dhe të drejtë”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Gashi ka shprehur besimin e tij se vendimi do të jetë në favor të drejtësisë.

“Besojmë se do të jetë në favorin e drejtësisë kushtetuese në aspektin e promovimit të demokracisë në këtë vend”, tha ai.

Ai po ashtu ka treguar se janë në fazën finale të planit qeverisës, i cili sipas tij, do të përfundojë më së largu deri nesër.

“Jemi në fazën finale të përfundimit të planit qeverisës jemi në përfundimin e pakos ekonomike që pritet të aprovohet në ditët e para të qeverisë së re. Kryeministri Hoti është i gatshëm të marrë përsipër trajtimin e këtyre çështjeve”, shtoi Gashi./EO/