Letra e Kurtit PE-së, eurodeputetët s’kanë vendosur a do të diskutohet

Kabineti i Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti i ka dërguar letër të premten, Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Në këtë letër të qeverisë në detyrë ndër të tjera thuhet se Presidenti Thaçi ka vepruar jashtë mandatit kushtetues duke mandatuar për kryeministër, kandidatin e LDK’së, Avdullah Hoti. Zyra për media e Komisionit për Punë të Jashtme e Parlamentit Evropian, Snježana Kobešćak i ka thënë Gazetës Express se kurdo që kjo letër arrin do të shpërndahet tek anëtarët e Komisionit dhe kryesia e këtij komisioni vendosë nëse diskutohet përmbajtja e letrës në mbledhjen e ardhshme.

Në letrën e dërguar nga Kabineti i Kurtit në adresë të europarlamentarëve që janë pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme thuhet se pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë më 25 mars 2020, Presidenti Thaçi nuk ka vepruar sipas detyrës kushtetuese të tij, që ia përcakton neni 82.2 i Kushtetutës së Kosovës për të shpërndarë Kuvendin dhe për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

“Presidenti Thaçi  ka marrë rol aktiv me iniciativë të tij të tentim për të formuar qeveri të re edhe pse një rol i tillë është shprehimisht i ndalohet nga gjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

Reklama e sponzorizuar

Tutje në letrën e qeverisë thuhet se veprimi i Presidentit Thaçi është në kundërshtim me qëndrimin e Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.

“Kjo është një lëvizje antikushtetuese, e cila është gjithashtu në kundërshtim me qëndrimet e kryetares së Kuvendit, zonjës Vjosa Osmani”, thuhet në letër.

Zëdhënësja për media pranë Komisionit për Punë të Jashtme e Parlamentit Evropian, Snježana Kobešćak në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se letrën nuk e kanë pranuar ende, por kurdo që ajo arrin do të shpërndahet tek anëtarët.

“Nuk mund të konfirmoj nëse letra ka arritur. Në çfarëdo rasti, kurdo që letra arrin, do të shpërndahet tek të gjithë anëtarët e Komitetit dhe Kryesia normalisht përgjigjet në emër të Komitetit”, kanë thënë për Express Zyrtarja për media e Komisionit për Punë të Jashtme.

Komisioni për Punë të Jashtme e PE’së, do të mbajë mbledhjen e radhës më 19 maj, ku në agjendë do të jetë edhe diskutimi me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

Nga zyra për media e Komisionit për Punë të Jashtme e Parlamentit Evropian kanë thënë se i takon anëtarëve dhe kryesisë nëse vendosin që ta diskutojnë përmbajtjen e letrës së qeverisë në mbledhjen e radhës që do të mbahet më 19 maj 2020 të Komisionit.

“Sa i përket takimit të datës 19 maj, përmbajtja e letrën do të mund të diskutohet nga anëtarët gjatë shkëmbimit të pikëpamjeve me Komisionerin Varhelyi, i cili tashmë është në agjendë. Por i takon anëtarëve/kryesisë të vendosin se si do të reagojnë ndaj kësaj letre”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në zyrën për media për të konfirmuar nëse letra ka arritur në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, por deri më tash nuk kemi pranuar përgjigje lidhur me këtë.