Në Ministrinë e Bujqësisë, prej vitesh është aplikuar një formulë e mbajtjes në punë nën shantazh, për disa nga njerëzit që inspektonin realizimin e projekteve të cilat mbështeteshin me grante e subvencione. Raportet jo rrallëherë janë bërë sipas urdhrave politikë.
Një inspektor, saktësisht nëntë vjet ka punuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), që funksionon në kuadër të Ministrisë, me kontratë afatshkurtër 6-mujore. Edhe shumë të tjerë me kontrata të përkohshme kanë qëndruar mbi pesë vjet në këtë ministri, raporton KOHA.
Por, marrëdhënia e punës nuk iu është vazhduar, pasi ministri i ri i Bujqësisë, Besian Mustafa, me ta marrë detyrën e kishte pezulluar nga puna sekretarin e përhershëm të këtij institucioni, Kapllan Halimi, dhe kryeshefin e AZHB-së, Ekrem Gjokaj, pasi ndaj tyre është ngritur aktakuzë bazuar në një raportim të “Kohës Ditore” se ata kishin abuzuar me detyrën zyrtare kur jashtëligjshëm kishin ndarë grante milionëshe për disa biznesmenë të lidhur me politikën.
AZHB-ja, e cila secilin vit menaxhon me buxhetin 40-50 milionë eurosh të granteve e subvencioneve, në 2010-n kishte vetëm shtatë zyrtarë të rregullt, ndërsa tani i ka 68. Mungesat e zyrtarëve nuk ishin përmbushur nëpërmjet konkurseve të rregullta, por nëpërmjet “marrëveshjeve për shërbime të veçanta”, të cilat, sipas Ligjit për Shërbimin Civil dhe Rregullores për procedurat e rekrutimit në Shërbimin Civil, mund të shfrytëzohen për angazhimin afatshkurtër, deri në gjashtë muaj, por me kushtin që të rekrutuarit të jenë ekspertë për të cilët institucioni publik ka nevojë dhe ka mungesë të shkathtësive brenda burimeve njerëzore ekzistuese.