Mbi 2500 persona nuk përfillën rregullat e karantinës, Policia merr masa

Virusi COVID-19 ka prekur edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në vijën e parë të frontit duke monitoruar vendin. Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, në një lidhje direkte për Gazetën Express ka folur rreth gjendjes shëndetësore të zyrtarëve policorë me koronavirus. Ai po ashtu ka dhënë detaje rreth planeve operacionale të policisë si dhe për numrin e rasteve të hapura ndaj personave që nuk kanë përfillur masat e pandemisë.

Kelani theksoi se policia nuk shqipton gjoba ndaj personave që nuk respektojnë dispozitat kundër pandemisë, por vetëm hap raste sipas kodit penal të Kosovës.

“Në ditën e para kemi nisur me dhënien e vërejtjeve ndaj qytetarëve e  më pas edhe me hapjen e rasteve kur qytetarët nuk kanë respektuar masat. Edhe inspektorët sanitarë sipas vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë kanë shqiptuar masat administrative apo kundërvajtjet që parashihen me gjobë. Sipas kodit penal, policia i ka hapur 1200 raste, ku janë përfshirë rreth 2500 persona”, ka deklaruar Kelani për Express.

Reklama e sponzorizuar

Nga 25 zyrtarë policorë që janë prekur deri më tani, 11 janë shëruar ndërkaq kanë mbetur 14 raste aktive.

“Edhe përkundër të gjitha masave që janë ndërmarrë për mbrojtjen e personelit policor, fillimisht kanë qenë 11, por të gjithë tashmë janë shëruar. Tani në kohën e fundit kemi 14 zyrtarë policorë në zonën e përgjegjësisë së Prizrenit dhe që janë duke u trajtuar. Në total kanë qenë 25. Fatmirësisht gjendjen shëndetësore e kanë të mirë”, ka thënë Kelani.

Ndiqeni intervistën e plotë të Kelanit: