Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, në një deklaratë për KOHËN ka komentuar akuzat e së martës, të presidentit Hashim Thaçi, në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, si dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kreu i shtetit ka thënë për ta se përbëjnë grup kriminal dhe për këtë duhet të përballen me drejtësinë, por akuzës nuk ia ka mbështetur ndonjë dëshmi.
Miftaraj ka rikujtuar se, në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e popullit dhe duhet të jetë garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të themeluara me Kushtetutë. Po kështu, ka thënë për të se, gjatë ushtrimit të funksioneve kushtetuese dhe ligjore, duhet të sigurohet që të përçojë besim, paanësi dhe integritet në raport me pushtetet tjera në Kosovë. Krahas kësaj, edhe të ketë respekt për çdo parti politike në Kosovë, duke marr për bazë faktin se çdo subjekt politik përfaqëson vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë votuar për partitë politike në zgjedhjet e 6 nëntorit.
Ai ka thënë për KOHËN se kreut të shtetit nuk i takon të demonstrojë këtë qasje në raport me LVV-në.
“Presidenti nuk guxon dhe nuk duhet në asnjë rrethanë të polarizojë skenën politike në Kosovë, si dhe të bëjë ndasi tek qytetarët, duke bërë deklarata të cilat nuk hyjnë në kuadër të fushëveprimit të tij. Aq më tepër, kur Kosova ka institucione, të cilat në bazë të Kushtetutës dhe ligjit duhet të veprojnë në rast se ka edhe përgjegjësi penale potencialisht”, ka thënë Miftaraj.
“Presidentit të Shtetit nuk i ka hije dhe nuk i takon të luajë kinse rolin e sinjalizuesit në raport me partinë më të votuar në vend”.