Miliona punëtorë në botë e shënojnë 1 Majin nga shtëpitë

Më 1 maj, miliona punëtorë në botë, zakonisht marrin pjesë në marshime dhe protesta për të shënuar, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, por këtë vit shënimet e kësaj ditë nuk do ta kenë ndikimin e tyre, për shkak të kufizimeve të vendosura për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.

Në Kosovë, shkalla e papunësisë pas përfundimit të pandemisë mund të shkojë në 50 për qind, nga rreth 30 për qind sa ka qenë në muajin mars, thotë një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini.

Ajdini po ashtu thotë se qeveria duhet të ndihmojë bizneset, në mënyrë që të mund të mbajnë punëtorët në punë.

Reklama e sponzorizuar

Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se papunësia paraqet sfidë të madhe dhe ajo është pasojë e qasjes së sistemit ndaj njeriut punëtor.

“Para luftës kishim shtetin okupator që na dëboi nga vendet e punës. Pas luftës kishim modelin neoliberal që s’na punësoi dot. Ndërkohë, arsimi e ekonomia ecën ndaras, e në hendekun e tyre po rritej rinia e papunë. Ndër pak fushat ku triumfojmë sot në Evropë është ajo e papunësisë më të lartë”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Në Shtetet e Bashkuara autoritetet kanë njoftuar se që nga fillimi i krizës së pandemisë, 30 milionë qytetarë e kanë humbur vendin e punës.

Pandemia e koronavirusit e ka çuar në rënie ekonominë globale, ka thënë shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.

“Është e qartë se kemi hyrë në recesion, që do të jetë më i keq se në vitin 2009, pas krizës globale financiare”, ka thënë Georgiva.

Tubimet dhe marshimet në të gjithë Evropën janë anuluar për shkak të masave kundër pandemisë.

Sindikatat po u kërkojnë mbështetësve të zbukurojnë shtëpitë dhe ballkonet e tyre me flamuj ose të përdorin llogaritë e tyre në media sociale për të mbështetur punëtorët.