Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, hiç më pak se 24 milionë euro është rënia e të hyrave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), gjatë këtij 4 mujori.
Drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj, ka thënë se pandemia përveç që ka ndikuar në aspektin e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik, e njëjta sipas tij, ka sjellë ndikim të konsiderueshëm edhe në rënie të të hyrave tatimore në këtë institucion.
Për sa i përket të hyrave tatimore, Murtezaj ka theksuar se deri më sot, shifra e tyre ka shkuar mbi 180 milionë euro. “Deri sot të hyrat e grumbulluar nga ATK-ja janë mbi 180 milion euro dhe nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rezulton që kemi një rënie të hyrave për rreth 24 milionë euro”, ka deklaruar ai në një intervistë për “Front Online”.
Edhe pse viti filloi mirë për një ndër institucionet më mbushëse të buxhetit të Kosovës, sipas Murtezajt tani ka mosrealizim të të hyrave rreth 47 milionë euro. Kjo për shkak të pandemisë Covid-19. “Nëse e bëjmë një krahasim me trendin në të cilin kemi qenë deri me datën 18 mars, ku kemi qenë në një trend jashtëzakonisht pozitiv të realizimit të të hyrave, me tejkalim të të hyrave prej 11.2 % në raport me vitin paraprak, dhe në raport me planin e punës 3.62%, atëherë mund të konstatohet që në raport me këtë trend që kemi pasur kemi një mosrealizim të të hyrave rreth 47 milionë euro”, ka thënë Murtezaj.
E gjithë kjo rënie e të hyrave, sipas Murtezajt ka ardhur si rezultat i vendimeve të marra nga Ministria e Financave, për zgjatje të afatit të pagesave. “Duhet të potencojë edhe faktin se kjo ka rrjedh si rezultat i vendimeve të Ministrisë së Financave për zgjatje të afatit të pagesave, si dhe keqpërdorimit eventual të disa nga bizneseve që përkundër që kanë zhvilluar aktivitet normal. Ndoshta kanë pasur edhe rritje të të hyrave në qarkullimin e tyre e kanë keqpërdorur situatën duke i deklaruar tatimet por duke mos i paguar”, ka thënë tutje ai.