189 persona të ngujuar gjatë pandemisë janë kthyer sot në Kosovë. 149 qytetarë janë kthyer nga Franca, Gjermania dhe Zvicra, ndërkaq 40 të tjerë janë duke u kthyer nga Kroacia.
Sipas njoftimit nga Ambasada e Kosovës në Paris, 110 ishin duke qëndruar në Francë, 36 në Gjermani dhe 3 në Zvicër.
Siç bëhet e ditur për media, ata janë kthyer nga EuroAeroporti (Basel-Mulhouse-Freiburg).
“Sot nga EuroAeroporti (Basel-Mulhouse-Freiburg) udhëtuan për në Kosovë 149 qytetarë, prej të cilëve 110 ishin duke qëndruar në Francë, 36 në Gjermani dhe 3 në Zvicër. Për realizimin e këtij riatdhesimi i falënderojmë të gjitha institucionet me të cilat kemi bashkëpunuar, përfshirë institucionet tona dhe ato franceze, e në veçanti kolegët tanë të shërbimit të jashtëm (në MPJ në Prishtinë, Ambasadën tonë në Gjermani si dhe atë në Zvicër), si dhe kompaninë e fluturimit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Paris.
Mirëpo nuk bëhet e ditur nëse ata janë vendosur në Qendrën e Studentëve, në karantinë.
Ndërkaq sot 56 shtetas kosovarë janë kthyer nga Emiratet e Bashkuara Arabe.