Në zonat endemike në Komunën e Malishevës, sot ka nisur dezinsektimi si masë për të parandaluar ethet hemorragjike krime kongo, virus që bartet nga rriqrat, ka bërë të ditur Komuna e Malishevës.
Sipas njoftimit, dezinsektimi bëhet në bashkëpunim mes Komunës së Malishevës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
“Dezinsektimi do të thotë shumë për të gjithë banorët, pasi zvogëlon mundësinë e thumbimeve nga rriqrat dhe me këtë zvogëlon edhe mundësinë e infektimit nga virusi i etheve hemorragjike krime kongo, i cili përcillet përmes rriqrave. Puna e juaj dhe e të gjithë të tjerëve që janë të angazhuar në luftimin e këtij virusi, është jetike për banorët të cilët potencialisht mund të preken nga ky virus”, tha kryetari i Malishevës, Ragip Begaj.
Komuna e Malishevës, si pasojë e prezencës së virusit të etheve hemorragjike krime kongo, që nga paslufta, ka qenë më e prekura. Deri në vitin 2013, kanë vdekur 18 qytetarë si pasojë e këtij virusi.
Ndërkohë, IKSHPK-ja të mërkurën bëri të ditur se në gjithë Kosovën janë raportuar 285 persona të pickuar nga rriqrat më 2020.