Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese ka thënë se dekreti i presidentit për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën, Presidenti Hashim Thaçi ka thirrur konferencë për media, raporton Express.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Zyra e Presidentit ka bërë me dije se konferenca do të mbahet në ora 10:30, në hyrje të Presidencës.
Ndryshe, pas vendimit të publikuar nga Kushtetuesja, Thaçi u ka bërë thirrje partive politike që ta respektojnë këtë vendim dhe kërkoi që sa më shpejt të formohet një qeveri e re.
“Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ndryshe, të nëntë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë pajtuar për çështjen se dekreti i presidentit nuk është antikushtetues. Sipas tyre, pas kalimit të mocionit, hapet mundësia e një formimi të një shumice parlamentare për ta zgjedhur qeverinë.
Aty thuhet se gjykata vendosi njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme.