Një hendek i rrezikshëm

Kontrasti mes tregut të aksioneve dhe ekonomisë reale. Tregjet financiare nuk përputhen aspak me ekonominë. Kjo do të lërë pasoja

Historia e tregut të aksioneve ka pasur plot momente dramatike: rënia e thellë e vitit 1929; E Hëna e Zezë në vitin 1987, kur çmimet e aksioneve ranë me 20% brenda një dite; mania e dotcom në vitin 1999. Me ngjarje të tilla, asgjë nuk duhej të ishte më surprizë, por tetë javët e fundit kanë qenë vërtet të jashtëzakonshme, shkruan The Economist.

Një rënie madhe e aksioneve është ndjekur nga një manifestim delirues në Amerikë. Nga data 19 shkurt deri më 23 mars, Indeksi S&P 500 humbi një të tretën e vlerës. Më pas, menjëherë, pothuajse pa asnjë pauzë, rikuperoi më shumë se gjysmën e humbjeve. Kjo rritje u nxit nga lajmi se Rezerva Federale do të blinte bonot e korporatave, duke ndihmuar kompanitë e mëdha të financojnë borxhet e tyre. Investitorët kaluan nga gjendja e panikut në optimizëm, sa hap e mbyll sytë.

Reklama e sponzorizuar

Këto lajme të mira nga Wall Street duhet t’ju shqetësojnë. Ato bien ndesh me tregjet në vendet e tjera të botës. Për shembull, aksionet në Britani dhe Europën Kontinentale janë rimëkëmbur më me vështirësi. Dhe rehatia e Wall Street është në kontrast të plotë me gjendjen e Main Street.

Edhe teksa masat izoluese po lehtësohen në Amerikë, goditja ndaj vendeve të punës ka qenë e egër dhe papunësia është rritur nga 4% në rreth 16%, shkalla më e lartë që nga fillimi i regjistrimit të këtyre shifrave në vitin 1948. Ndërkohë që aksionet e kompanive të mëdha rriten dhe ato marrin ndihmë nga Rezerva Federale, bizneset e vogla nuk po arrijnë të marrin ndihmë financiare nga qeveria federale.

Po rihapen plagët

Plagët nga kriza financiare e viteve 2007-2009 po rihapen. “Kjo është hera e dytë që ne i kemi nxjerrë nga belaja”, mërmëriti muajin e kaluar Joe Biden, kandidati për president i Partisë Demokratike. Beteja se kush paguan për barrën fiskale të pandemisë po fillon. Në trajektoren e tanishme, ka të ngjarë të ketë një revoltim kundër bizneseve të mëdha.

Fillojmë me ecurinë e tregjeve. Gjendja është përmirësuar kryesisht falë Rezervës Federale, e cila ka vepruar në mënyrë më dramatike se bankat e tjera qendrore, duke blerë asete në një shkallë të paimagjinueshme. Ajo madje është angazhuar të blejë edhe më shumë borxhe të korporatave, duke përfshirë edhe bono “junk” me rendiment të lartë. Tregu për emetimet e letrave me vlerë të korporatave, që ndali veprimtarinë në shkurt, është rihapur në mënyrë spektakolare.

Kompanitë kanë lëshuar bono me vlerë 560 miliardë dollarë në gjashtë javët e fundit, sa dyfishi i nivelit normal. Edhe kompanitë e linjave të lundrimit kanë qenë në gjendje të mbledhin para, megjithëse me një çmim të lartë. Falimentimet e kompanive të mëdha janë parandaluar. Banka Qendrore ka ndihmuar fluksin e parave të korporatave amerikane. Tregu i aksioneve ka ndier sigurinë dhe është rritur sërish.

Rezerva Federale nuk ka shumë zgjidhje – rënia e bonove të korporatave do të shkaktonte një recesion edhe më të thellë. Investitorët e kanë brohoritur duke u hedhur pas aksioneve. Nuk kanë vend më të mirë për të investuar paratë e tyre. Rendimentet e obligacioneve të qeverisë mezi arrijnë një shifër pozitive në Amerikë. Në Japoni dhe në pjesën më të madhe të Europës janë negative.

Është e garantuar humbja e parave, duke i mbajtur ato deri në maturim dhe nëse inflacioni rritet, humbjet do të ishin të dhimbshme. Pra, stoqet janë tërheqëse. Në fund të marsit, çmimet kishin rënë mjaftueshëm për të tunduar më të guximshmit. Ata u përgatitën për faktin se shumica e vlerës së aksioneve është e lidhur me fitime që do të arrihen shumë kohë pasi të ketë filluar rimëkëmbja nga Covid-19.

Gjithsesi, rritja e fundit e çmimeve të aksioneve ka qenë e pabarabartë. Edhe para pandemisë, tregu ishte i njëanshëm dhe tani kjo është theksuar. Në Britani dhe Europën Kontinentale, ku janë shumë të pranishme industritë e trazuara si prodhimi i makinave, bankat dhe energjia, bursat kanë mbetur mbrapa dhe kanë filluar sërish grindjet mbi monedhën e përbashkët.

Në Amerikë, investitorët i kanë varur shpresat në një grup të vogël kompanish teknologjike: Alphabet, Amazon, Apple, Facebook dhe Microsoft — që tani përbëjnë një të pestën e indeksit të S&P 500. Nuk ka shumë eufori, thjesht një përpjekje të dëshpëruar për të arritur një pjesë të vogël të bizneseve që mendohet se janë të aftë t’i mbijetojnë çdo krize të paparashikueshme.

Nga njëra anë, kjo është e arsyeshme. Menaxherët e pasurive duhet t’i vendosin paratë në funksion sa më të mirë. Por ka diçka të gabuar në mënyrën se sa shpejt kanë ndryshuar çmimet e aksioneve dhe ku janë rikthyer. Aksionet amerikane tani janë më të larta sesa ishin në gusht. Kjo do të nënkuptonte që tregtia dhe ekonomia më e gjerë mund t’i rikthehen normalitetit. Ka kërcënime të panumërta për një perspektivë të tillë, por tre janë kryesorët.

I pari është rreziku i një goditjeje të mëvonshme. Është shumë e mundur që do të ketë një valë të dytë infeksionesh. Janë edhe pasojat e një recesioni të fortë – PBB-ja amerikane parashikohet të bjerë me rreth 10% në tremujorin e dytë, në krahasim me një vit më parë. Shumë drejtues biznesesh shpresojnë se ulja e madhe e kostove mund të ndihmojë në mbrojtjen e rezervave të tyre dhe do t’i mundësojë të paguajnë borxhet e grumbulluara nga lejet e punës. Por në përgjithësi, këto masa të rrepta nga korporatat do të ulin kërkesën. Rezultati i mundshëm është një ekonomi 90%, që funksionon në një nivel shumë më të ulët se normalja.

Një rrezik i dytë është mashtrimi. Bumet e zgjatura kanë prirjen të nxisin sjellje tinëzare dhe zgjerimi para goditjes së COVID-19 ishte më i gjati. Vite të tëra përqindjesh të ulëta interesi dhe inxhinierish financiare mund të nxjerrin në pah dredhi të ndryshme. Në Azi ka pasur dy skandale të dukshme javët e fundit, me kompaninë Luckin Cafe, një version kinez i Starbucks dhe Hin Leong, një tregtar i energjisë në Singapor, që ka mbajtur të fshehtë humbje të mëdha parash. Një mashtrim i madh ose një kolaps i korporatave në Amerikë mund të trondisë besimin e tregjeve, ashtu si rënia e Enron në vitin 2001 shkaktoi panik tek investitorët dhe Lehman Brothers u bë shkaktar për rënien e tregjeve të aksioneve në vitin 2008.

Rreziqet e anashkaluara

Rreziku më i anashkaluar është ai i një reagimi politik. Rënia do të dëmtojë kompanitë e vogla dhe do t’i ofrojë korporatave të mëdha një pozitë edhe më të fortë, duke rritur përqendrimin e disa industrive, çka ishte një problem edhe para pandemisë. Një krizë kërkon sakrifica dhe do të lërë pas një tarifë të madhe shpenzimesh. Kërkesat për shlyerje do të rriten nëse bizneset e mëdha përfitojnë më tepër se subvencionet e mundësuara.

Është e lehtë të imagjinosh taksa të papritura për industritë e shpëtuara, ose një ndryshim të mprehtë të rënies së qëndrueshme të normës ligjore të korporatave federale, që ra në 21% në vitin 2017 pas reformave të taksave të presidentit Donald Trump, nga një mesatare afatgjatë prej mbi 30%. Disa demokratë duan t’i kufizojnë bashkimet dhe t’i ndalojnë kompanitë që të kthejnë paratë tek pronarët e tyre.

Tani për tani, investitorët aksionerë ndihen të sigurt nën mbrojtjen e Rezervës Federale. Por gjendja e tregjeve mund të ndryshojë befasisht, siç kanë treguar këta muaj të jashtëzakonshëm. Një rënie njëmujore e tregjeve të aksioneve nuk duket se është aspak një kohë e mjaftueshme që reflekton gjithë lajmet e këqija nga pandemia dhe pasigurinë e madhe që ajo ka krijuar. Drama e tregjeve të aksioneve nuk ka mbaruar aspak dhe ka ende akte të ardhshme.