OBSH po heton lidhjet midis COVID-19 dhe një sëmundjeje të fëmijëve

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se është duke studiuar lidhjen e mundshme midis sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, dhe një sëmundjeje të rrallë inflamatore që ka sëmurë dhe vrarë fëmijë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Në javët e fundit, disa vende kanë raportuar raste të fëmijëve me simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes Kawasaki.

“Raportet e para supozojnë se kjo sindromë mund të ketë lidhje me COVID-19″, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë virtuale.

Reklama e sponzorizuar

“Është thelbësore që kjo sindromë klinike të përcillet me urgjencë dhe me kujdes, të kuptohet shkaku dhe të përshkruhen ndërhyrjet në trajtim”, tha ai.

Tedros i bëri komentet pasi një mjek në Francë tha të premten se një djalë nëntë vjeç atje, që ka dalë pozitiv për COVID-19, ka vdekur nga sindroma, duke shënuar vdekjen e parë të tillë në këtë vend.

Vdekje të ngjashme të fëmijëve po hetohen edhe në Nju Jork dhe Londër.