Osmani mbështet veprimin e AKK-së për gjobitjen e 14 kompanive të derivateve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim drejtuesit e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Siç njofton kumtesa për media, Osmani falënderoi kryetarin e AKK-së, Valon Prestreshi për reagimin e shpejt dhe komunikimin e vazhdueshëm me qytetarët në lidhje me çështjen e rritjes së çmimeve të produkteve esenciale në treg gjatë periudhës së përballje me pandeminë Covid-19.

Theks i veçantë në takim është vënë në vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për gjobitjen e 14 kompanive të derivateve të naftës për çrregullim të konkurrencës në treg në muajt e fundit të vitit 2018.

Reklama e sponzorizuar

Kryeparlamentarja Osmani ka mbështetur veprimet e fundit të AKK-së.

“Vlerësoj çdo vendim tuajin i cili kontribuon në mbrojtjen e konkurrencës në treg. Profesionalizmi juaj dhe përmbushja e plotë e mandatit të kësaj agjencie ka ndikim të drejtpërdrejt dhe afatgjatë në sundimin e ligjit”, ka theksuar Osmani.

Në takim me zyrtarë të AKK-së, Osmani trajtoi edhe çështjen e pretendimeve për monopol në sektorin e energjisë nga dielli.

Palët u dakorduan për komunikim të vazhdueshëm, teksa kryetarja Osmani shfaqi gatishmërinë për mbështetje dhe angazhim aktiv të Kuvendit në trajtimin e të gjitha çështjeve të cilat janë në interes të qytetarëve dhe ndikojnë në ruajtjen e konkurrencës së shëndoshë në treg.