Pandemia e koronavirusit rrit papunësinë në Austri

Pandemia e koronavirusit ka rritur numrin e të papunëve në Austri në nivele të larta, tha të hënën Shërbimi i Punës në këtë vend, i njohur si AMS. Sipas të dhënave të tij, 571,477 njerëz janë aktualisht pa punë – një pjesë e tyre si pasojë e mbylljes së ekonomisë.

Kjo do të thotë rritje për 58 për qind, krahasuar me fundin e prillit, 2019, kur kanë qenë 361,202 të papunë. AMS-ja tha se kjo është një “rritje ekstreme e pasivitetit, që lidhet me koronavirusin”. Sipas saj, norma e papunësisë në Austri është rritur në 12.8 për qind në fund të muajit prill, nga 8.1 për qind sa ka qenë në shkurt.

Reklama e sponzorizuar

AMS tha përmes një deklarate se “të gjithë sektorët, të gjitha rajonet dhe të gjitha grupmoshat” janë prekur nga mbyllja e ekonomisë. Tani ka dhjetë herë më shumë punëkërkues sesa vende të lira të punës, tha AMS. Industritë e goditura më së keqi janë hotelet dhe restorantet, ku papunësia është rritur për 130 për qind.

Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Austria është izoluar, duke mbyllur shumicën e bizneseve, nga gjysma e marsit. Ky vend është tani në proces të lehtësimit të masave të izolimit. Shifrat e së hënës kanë treguar se Austria ka 15,538 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 600 viktima.