Papunësia në Kosovë mund të rritet deri në 10%

Kriza e krijuar nga pandemia e Coronavirusit në ekonominë e Kosovës ka bërë që shumë punëtorë të sektorit privat të mbeten pa punë, duke shktuar rritje të nivelit të papunësisë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se papunësia në Kosovë gjithmonë ka qenë e theksuar, por tash me përhapjen e Coronavirusit mund të rritet 5 deri në 10 %.

“Papunësia te ne ka qenë e theksuar edhe më herët por edhe tash unë konsideroj që edhe një 5% apo 10% mund ta ngarkojë këtë situatë pak ma tepër derisa të ristartojnë sepse bizneset tona kanë nevojë për punëtorë”.

Reklama e sponzorizuar

Ajdini thotë se nuk mund të ketë ulje të papunësisë në kohën e pandemisë. Sipas tij, duhen së paku 6 muaj për të ditur se sa për qind kanë humbur vendet e punës dhe sa është rrit papunësia deri tani.

“….s’mund të pajtohem unë, në kohën e pandemisë nuk mund të ulet papunësia kur askush nuk është duke punuar dhe si mund ashtu të shprehen kur 30 milionë amerikan kanë ngelur pa punë e mos të flas për te ne në Kosovë”.

“…për me e thanë një thënie të tillë duhet të bëhet një analizë dhe analiza nuk mund të dihet brenda javës apo muajit, ne mund ta dimë saktësisht për 6 muaj se sa për qind kemi humbur vendet e punës dhe sa është papunësia deri më tani”.

Ditë më parë ministri në detyrë  Financave të Kosovës, Besnik Bislimi tha se u ul papunësia në Kosovë me 6.6 për qind, ndërsa  në zyrat e punësimit në Kosovë kanë aplikuar 32 377 persona për të kërkuar punë.