Mbi 4.4 milionë italianë u janë rikthyer të hënën vendeve të tyre të punës, më se dy muaj qëkur Italia zbatoi masat më të ashpra të karantinimit në gjithë Evropën për luftimin e koronavirusit.
Kthimi gradual në normalitet u bë i mundur pas rënies së vazhdueshme të numrit ditor të personave të infektuar, me ç’rast në 24 orët e fundit u evidentua shifra më e ulët gjatë dy muajve të fundit – me vetëm 174 raste.
Megjithëkëtë, autoritetet kanë kërkuar kujdes të shtuar për të mos e nxitur një shpërthim të ri rastesh. E për këtë arsye Qeveria ka përfshirë në planin e hapjes edhe mundësinë e kthimit të serishëm në izolim, në rast të shtimit të rasteve, transmeton KOHA.
Kryeministri, Giuseppe Conte, e quajti këtë fazë të re si fillimin e “bashkëjetesës me virusin”. E me zbutjen e masave, italianët do të mund të lëvizin lirshëm në rajonet e tyre, t’i vizitojnë të afërmit, të shëtisin nëpër parqe dhe të marrin ushqime e pije nga restorantet dhe kafenetë.
Ndërkaq, përdorimi i masave mbrojtëse do të jetë i domosdoshëm në mjedise të mbyllura, si transporti publik dhe dyqanet.
Italia ka zbatuar njërën prej masave më të ashpra të izolimit, pasi u godit më së rëndi nga virusi pandemik, duke regjistruar së paku 210 mijë të infektuar dhe më se 28 mijë të vdekur.