Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se vendimet për parandalimin e pëhapjes së COVID 19 në Kosovë, të marrura nga qeveria janë në përputhje me Kushtetutë, tregon se ato kanë qenë edhe të domosdoshme.
Kurti ka shkruar në Facebook se këto vendime vetëm kanë vlerësuar një pjesë të fjalëve dhe mënyrën se si janë përdorur ato, si në rastin e Prizrenit, duke thënë se nuk duhej të përdorte togëfjalëshin “zonë karantine” për të caktuar ndalimin e hyrje-daljes nga Komuna e Prizrenit.
Kurti tutje ka ftuar të gjithë deputetët që të lënë mënjanë kalkulimet politike dhe partiake dhe të ndërmarrin hapa të duhur për të mirën e qytetarëve, sidomos në këtë kohë pandemie.
Postimi i tij pa ndërhyrje:
Mbi kushtetutshmërinë e mbrojtjes së jetës së qytetarëve
Më 14 prill, Ministria e Shëndetësisë nxori 38 vendime për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19 në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Pas shqyrtimit të disa prej këtyre vendimeve, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se të gjitha kufizimet në lirinë e lëvizjes të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, të paktën në substancë, kanë qenë në përputhje të plotë me Kushtetutën, duke përfshirë: ndalimin e qarkullimit jashtë orarit të lejuar 90-minutësh; ndalimin e qarkullimit përveç për nevoja apo punë esenciale; ndalimin e hyrje-daljes nga komuna të caktuara; ndalimin e qarkullimit me automjete përveç me leje të veçanta apo raste urgjente shëndetësore; ndalimin e grumbullimit të dy apo më shumë personave; dhe detyrimin për të mbuluar hundën dhe gojën gjatë qarkullimit jashtë shtëpisë apo banesës. Këto kufizime, ndonëse sfiduese për të gjithë ne, kanë qenë edhe të domosdoshme për të siguruar uljen dramatike të numrit të rasteve aktive të COVID-19 gjatë ditëve të fundit. Me aktgjykimin e Gjykatës, tani kemi edhe konfirmimin autoritativ dhe përfundimtar që ato kanë qenë jo vetëm të domosdoshme në aspektin shëndetësor, por edhe plotësisht të justifikuara në aspektin kushtetues.
Bashkë me këtë konfirmim historik, Gjykata ka ofruar dy sqarime të dobishme. Së pari, Gjykata ka konstatuar se një vendim i mëhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë nuk duhej të përdorte togëfjalëshin “zonë karantine” për të caktuar ndalimin e hyrje-daljes nga Komuna e Prizrenit. Mirëpo, siç u cek më lart, substancën e shpalljes së Komunës së Prizrenit si “zonë karantinë”, dmth. ndalimin e hyrje-daljes nga ajo komunë, Gjykata e ka konsideruar në përputhje të plotë me Kushtetutën. Së dyti, Gjykata ka konstatuar se gjobitja e personave fizikë dhe juridikë për shkeljen e masave për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, nuk mund të bëhet pa u bazuar në një ligj të Kuvendit apo akt të një Kuvendi të Komunës. Në fakt, pikërisht për këtë arsye, skema e gjobave të parashikuara me Vendimet e Ministrisë, është kopjuar dhe bartur drejtpërdrejt nga neni 53 i Ligjit Nr. 02/L-109 për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse. Për të ndihmuar Gjykatën që të kuptonte më qartë këtë bazë ligjore, ndoshta është dashur që Vendimet e Ministrisë ta citonin këtë dispozitë drejtpërdrejt në pikën e kontestuar të Vendimeve, e jo vetëm në pjesën hyrëse të tyre, ashtu siç është praktika e zakonshme.
Këto sqarime tekniko-gjuhësore, Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i marrë parasysh në hartimin e vendimeve të ardhshme, jo vetëm në kuadër të betejës kundër COVID-19, por edhe në fusha të tjera. Po ashtu, Qeveria e mirëpret konstatimin e Gjykatës që Kuvendi deri tani nuk ka krijuar baza të nevojshme ligjore për marrjen e masave të tjera të domosdoshme për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes COVID-19. Kjo ka rezultuar drejtpërsëdrejti nga refuzimi i deputetëve të partnerit tonë të koalicionit dhe të partive në opozitë për të proceduar projektligjin e propozuar nga kryetarja e Kuvendit lidhur me këtë çështje. Pengimi i punës së Kuvendit nga ana e këtyre deputetëve, ka vështirësuar dukshëm punën e Qeverisë dhe të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në këtë mënyrë, ka rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve të Republikës. Duke iu bashkuar vërejtjes së Gjykatës Kushtetuese, Qeveria iu bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që të lënë mënjanë kalkulimet politike dhe partiake dhe të ndërmarrin hapa të duhur për të mirën e qytetarëve, sidomos në këtë kohë pandemie.