Masat kufizuese të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit ka bërë që sektori i turizmit në vend të pësojë humbje të mëdha.
Kryetari i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti, ka treguar për dëmet e mëdha që ka pësuar turizmi në vend shkaku i pandemisë dhe planin e rimëkëmbjes.
“Dëmet në sektorin e turizmit nga pandemia COVID-19 janë jashtëzakonisht të mëdha, duke e pasur parasysh që është një sektor i prekur direkt qysh nga dita e parë dhe ka ndikuar jashtëzakonisht shumë. Të gjitha subjektet hoteliere, të gjitha restorantet, të gjitha kafiteritë, të gjitha agjencitë turistike, komplet i gjithë sektori është i mbyllur qysh nga dita e parë dhe doemos që kjo ka ndikuar negativisht qoftë tek punësimi, qoftë tek zhvillimi ekonomik”, ka thënë Hoti për KosovaPress.
Për të rimëkëmbur sektorin e turizmit kjo shoqatë ka bërë një propozim prej pesë pikave tek qeveria e vendit dhe MEPTINIS-i se çfarë duhet të ndërmerret.
Ndër pikat e para, Hoti ka thënë se është ulja e TVSH-së për sektorin e akomodimit nga 18 për qind në 8 për qind, krijimi i kushteve për kredi me norma më të ulëta të interesit për sektorin e turizmit dhe hotelerisë dhe shtyrja e kredive për këto biznese deri më 31 dhjetor të vitit 2020.
Po ashtu pikë e këtij propozimi është që të gjitha institucionet të obligohen të mbajnë konferencat, seminaret, eventet dhe aktivitetet e planifikuara në Kosovë.
“Kemi krijuar për vitin 2020 dhe 2021 komplet planin se si duhet të veprohet, në çfarë drejtimi duhet të veprohet dhe kemi nxjerrë një kosto të përafërt, mund të them që është deri diku 90 për qind e saktë, ku kostoja e zhvillimit të këtij sektori mund të jetë rreth 3 milionë euro. E them këtë për shkak se ne duhet të fokusohemi që të krijojmë oferta të lira turistike, të krijojmë oferta për rajonin siç është Shqipëria dhe Maqedonia dhe të krijojmë oferta për vet neve, pra oferta të brendshme me qëllim që t’iu krijojmë të hyra të gjithave këtyre bizneseve”, deklaroi ai.
Ndonëse ende nuk dihet se kur do të hapen kufijtë, Hoti thotë se këtë vit nuk presin shumë vizitorë në Kosovë. Por, ai potencon se së bashku me agjencitë turistike, hotelet kanë rënë dakord për krijimin e pakove të lira turistike, që të njëjtat mund të shfrytëzohen edhe nga qytetarët e Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka konfirmuar se pandemia ka goditur rëndë sektorin e turizmit. Por, ai thotë se nëse merren masat e duhura mund të shpëtohet ky sektor.
“Kemi disa shtresa të problemit të cilat po krijohen dhe të cilat e bëjnë shumë më të vështirë edhe ndër sektorët e fundit që do të rimëkëmbët, aq sa mund të rimëkëmbët është sektori i gastronomisë, hotelerisë, sektori i udhëtimit, i turizmit, transportit i udhëtarëve. Kjo është diçka që globalisht po diskutohet, por megjithatë unë mendoj që masat e duhura në kohën e duhur edhe mund të shpëtojnë aq sa mund të shpëtohet”, thotë ai.