Policia ndalon 28 persona, nuk respektuan rregullat kundër koronavirusit

Policia e Kosovës ka ndaluar 28 persona, të cilët nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet, që kanë për qëllim luftimin e koronavirusit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në Komunën e Prizrenit është numri më i madh i të ndaluarve, përkatësisht 17 persona.

Në Gjilan janë ndaluar shtatë persona, në Pejë tre dhe një person që nuk ka respektuar masat është ndaluar në Gjakovë.

Reklama e sponzorizuar

Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër sëmundjes, COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.

Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.

Faza e dytë pritet të nisë nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa e treta më 2 qershor.

Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë ka paralajmëruar se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë konfirmuar 927 raste me koronavirus; 671 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.