Pompeo i quan 2 miliardë dollarë të premtuara nga Kina për luftën ndaj pandemisë të vogla krahasuar me dëmet që i ka shkaktuar ajo

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, ka kritikuar sërish Kinën lidhur koronavirusin, duke i quajtur 2 miliardë dollarët që Pekini i ka premtuar për të luftuar pandeminë si shumë të vogla krahasuar me qindëramijëra jetë të humbura dhe bilionë dollarë dëme që ka shkaktuar, njofton agjencia Reuters.

Pompeo ka kundërshtuar deklarimet e presidentit të Kinës, Xi Jinping, se Pekini ka vepruar me transparencë pas shpërthimit të koronavirusit të ri në Kinë, dhe ai ka thënë se nëse Xi dëshiron të dëshmojë këtë, ai duhet të organizojë një konferencë për media dhe të lejojë gazetarët të pyesin lirshëm çdo gjë që duan.

“Presidenti Xi ka thënë këtë javë se Kina po vepron me çiltërsi, transparencë e përgjegjësi. Uroj të jetë kështu”, ka thënë Pompeo në konferencë për media, duke akuzuar se Pekini po vazhdon me censura.

Reklama e sponzorizuar

Tensionet SHBA – Kinë janë shtuar në javët e fundit, ku Pompeo dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kanë akuzuar për mënyrën se si Pekini e ka menaxhuar situatën e përhapjes së koronavirusit. SHBA-ja është vendi që është goditur më së rëndi nga pandemia.

Në një kohë ku shumica e shteteve janë duke bërë thirrje për unitet dhe bashkëpunim për të luftuar virusin, Trump ka propozuar tërheqjen nga Organziata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për reagimin e saj dhe e ka quajtur atë si marionetë të Kinës. Presidenti i Kinës, Xi, në anën tjetër ka premtuar dy miliardë dollarë për të luftuar virusin.

“Po shikoj para që Kina t’i përmbahet atij obligimi 2 miliardë dollarë. Kontributi i Kinës në luftimin e pandemisë është shumë i vogël, krahasuar me koston që i ka shkaktuar ajo gjithë botës. Kjo murtajë ka marrë rreth 90 mijë jetë amerikane, më tepër se 36 milionë amerikanë kanë humbur vendet e punës që nga marsi; ka marrë mbi 300 mijë jetë nëpër botë. Kostoja e dëmeve të shkaktuara mund të jetë deri 9 bilionë dollarë, sipas llogarisë sonë, kostoja që i ka shkaktuar botës dështimi i Partisë Komuniste Kineze”, ka thënë Pompeo.

Në Pekin, Kina e ka quajtur Pompeon shumë të papërgjegjshëm dhe i ka bërë thirrje atij që të shpjegojë dështimet e SHBA-së në reagimin ndaj virusit.

“Pse qeveria e SHBA-së nuk ka marrë kontrollin dhe nuk ka marrë masa parandaluese mes janarit dhe marsit?” – ka pyetur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian. “Pse ka dështuar të frenojë përhapjen e shpejt të koronavirusit në SHBA? Ai ka një përgjegjësi që t’ia shpjegojë këtë botës”.

Pompeo po ashtu ka akuzuar Kinën për kërcëiminim ndaj Australisë me ndëshkime ekonomike, pasi ajo ka kërkuar një hetim të pavarur për origjinën e shpërthimit dhe ka akuzuar drejtorin e përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus se kishte lidhje “të pazakonta të ngushta me Pekinin…shumë kohë para pandemisë aktuale”.