Protestë para MASHTI-t për vendimin e ministres: “Tërheqje ose dorëheqje”

Përfaqësues të disa organizata studentore bashkë me organizatat e shoqërisë civile, Admovere dhe ORCA, sot kanë protestuar për disa minuta para MASHTI-t pas vendimit të ministres në detyrë Hykmete Bajrami për emërimin e anëtarëve të bordit të Universitetit të Prishtinës.

Kjo pasi 2 nga 3 të emëruarit punojnë në kolegje private.

Me pankarta në duar me mbishkrimet “Tërheqje ose dorëheqje”, “Bizneset larg UP-së”, protestuesit i kanë kërkuar Bajramit ta anulojë këtë vendim. Në të kundërtën kanë thënë se do të ketë vazhdim të protestave.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Hykmete Bajrami, nuk e ka ndërmend që ta anulojë vendimin e saj për emërimin e 3 anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, përkundër kërkesës së shoqërisë civile dhe organizatave studentore. Ky institucion nuk e konsideron problematike që 2 nga 3 të emëruarit punojnë në kolegje private. Sipas një përgjigjeje të MASHTI-t për KOHËN, përzgjedhja e tyre është bërë duke respektuar procedurat dhe legjislacionin në fuqi.

Ministrja Bajrami të mërkurën ka shkarkuar 3 anëtarët e Këshillit, Ujkan Bajrën, Fadil Osmanin dhe Drita Shoshin, me arsyetimin se Këshilli ka dështuar t’i kryejë detyrat e tij. Në vend të tyre ka emëruar Mentor Gecin, Fisnik Reçicën e Muharrem Bajramin. Dy të parët punojnë në kolegje private. Në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit thuhet se përbërja e tanishme e Këshillit të emëruar nga MASHTI do të jetë në shërbim të avancimit të cilësisë dhe mirëqeverisjes së Universitetit të Prishtinës. “Të gjitha emërimet janë bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi

dhe të udhëhequra nga parimi udhëheqës me synim të vetëm përmirësimin e punës dhe cilësisë në Universitetin e Prishtinës. Personat e përzgjedhur janë profesionistë të fushave, me integritet të lartë akademik dhe njerëzor dhe nuk kanë afiliacion politik. Ky ka qenë parimi primar udhëheqës për të përmbyllur këtë proces me sukses”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë. MASHTI ka theksuar se bazuar në analizat e tyre, kjo përzgjedhje nuk është në kundërshtim me Ligjin për shmangien e konfliktit të interesit.

Image