Donika Lamaxhema, nga Ferizaj, u kthye të shtunën nga Londra dhe nga Aeroporti i Prishtinës shkoi në shtëpinë e saj në vetizolim – si një masë e nevojshme për të ditur nëse është e infektuar me koronavirus ose jo.
Në fluturimin Londër-Prishtinë ishin rreth 140 pasagjerë, qytetarë të Kosovës që ishin në Angli, Kanada, Irlandë dhe Islandë.
“Para se të vija, e kam lënduar këmbën, edhe kur kam mbërritur këtu më kanë trajtuar me prioritet dhe pastaj kam dalë menjëherë. Nuk kam shkuar në karantinë se e kam thyer gishtin. Me sa kam kuptuar unë, i gjithë aeroplani (të gjithë pasagjerët) kanë shkuar në vetizolim”, tha Donika.
Vetizolimi nënkupton qëndrimin në shtëpi për 14 ditë, duke mos pasur kontakt me personat e tjerë, ndërsa karantina i referohet një gjendjeje më serioze të izolimit, e shpallur nga autoritetet, e që shpesh i referohet ndarjes së njerëzve me rrezik të lartë nga marrja e sëmundjes.
Valdet Hashani, menaxher i karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë e që momentalisht është e vetmja në Kosovë, tha se të shtunën dhe të dielën rreth 300 qytetarë të Kosovës janë kthyer nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Sipas tij, të gjithë këta udhëtarë u janë nënshtruar kontrolleve nga mjekët në aeroport dhe pas vlerësimit të tyre, janë dërguar në vetizolim.
Hashani tha për Radion Evropa e Lirë se janë shtatë kategori që nuk i nënshtrohen karantinës.
“Personat me probleme kronike, personat që janë mbi moshën 70-vjeçare, fëmijët nën 18 vjeç që nuk janë të shoqëruar nga njëri prind, profesionistët shëndetësorë, mjekë, infermierë, policë e pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, personat që vijnë për raste mortore, gratë shtatzëna dhe familjet që kanë fëmijë të vegjël, si dhe personat e testuar për COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] e që e dëshmojnë me ‘hard copy’ (dokumente) – këta nuk i nënshtrohen procesit të karantinës”, tha Hashani.
Ata persona që nuk bëjnë pjesë në këto kategori, dërgohen në karantinë për një javë.
Hashani tha se edhe në ditët në vijim, në Kosovë do të arrijnë qindra qytetarë të tjerë.
“Më 27 maj, i kemi dy fluturime. Nga Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu do të vijnë 170 qytetarë dhe nga Zvicra 150. Me datën 31 do të vijnë 100 qytetarë nga Italia, kurse më 1 qershor do të vijnë edhe 120 nga Turqia”, tha Hashani.
Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë, në bashkëpunim me ambasadat e Kosovës në vende të ndryshme, ka riatdhesuar mbi 2,600 qytetarë.
Sipas Kreshnik Ahmetit, shef i kabinetit të ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më së shumti qytetarë janë riatdhesuar nga Gjermania, Zvicra dhe Kroacia.
“Deri tash, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë, ka riatdhesuar rreth 2,641 qytetarë dhe, brenda një kohe të shkurtër, për rreth dy javë, do t’i riatdhesojmë edhe 600 të tjerë. Por, kjo nuk është shifra e fundit, sepse në ndërkohë, në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë, jemi duke bërë planin tjetër të riatdhesimit, për t’i përfshirë të gjithë qytetarët që kanë mbetur jashtë vendit”, tha Ahmeti.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, paralajmëroi të hënën në një konferencë për gazetarë se, varësisht nga situata epidemiologjike, deri në fund të këtij muaji mund të mbyllet karantina në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Aktualisht atje janë 141 persona, ndërsa 280 vende janë të lira.
Nuk ka ende vendim për kufijtë
Kosova ende nuk i ka hupur kufijtë me shtetet fqinje. Vitia tha se nuk ka ende ndonjë vendim dhe se gjithçka do të varet nga situata epidemiologjike dhe nga shtetet e tjera.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi lidhur me hapjen e kufijve do të merret gjatë rivlerësimit të fazës së tretë të lirimit të masave kufizuese, e cila parashihet të fillojë më 1 qershor.
“Vendimi mbi atë se a do të hapen kufijtë apo jo, i takon Qeverisë, pasi që të ketë marrë një rekomandim nga Ministria e Shëndetësisë, e cila këtë rekomandim e bën në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ministritë tjera të linjës dhe ekspertët shëndetësorë”, tha Kryeziu.
Kosova, deri më 25 maj, ka konfirmuar 1,038 raste të të infektuarve me koronavirus. Prej tyre, 791 janë shëruar dhe 30 kanë vdekur.