Zëdhënësi në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë që kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli duhet të kërkojë falje për deklaratat e tij, se është frikësuar që shteti do të kryej “akt terroristik”.
Përms një postimi në Facebook, ai ka thënë se Pacollit i është komunikuar zyrtarisht se duhet të respektojë masat, ashtu siç bën çdo qytetar, përfshirë edhe zyrtarët ndërkombëtarë që vijnë në Kosovë.
“Fatkeqësisht, me ose pa vetëdije për peshën e rëndë të fjalëve të veta, thirrjet për respektimin e udhëzimit zyrtar që edhe ai të zbatojë masat në fuqi i intepretoi si frikë të tij për një ‘akt terroristik nga ana e shtetit’ në të. Pra, masat që janë marrë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga virusi, deputeti Pacolli, njëherësh ish Ministri i Punëve të Jashtme dhe ish Presidenti i Republikës së Kosovës, i interpretoi si mundësi për ‘akt terroristik nga shteti”, ka shkruar ai.
Kryeziu thotë se kjo deklaratë e tij po përdoret kundër shtetit.
Ai thotë se edhe opozitarizmi e ka një kufi dhe është e papërgjegjshme të quhet shteti terrorist.
“Deputeti Pacolli, ndërkohë që vazhdon të zbatojë masat e izolimit në shtëpi, njësoj si çdo qytetar i ardhur nga jashtë, do të duhet të fliste publikisht dhe të kërkonte falje, duke tërhequr ato që tha. Edhe opozitarizmi e ka një kufi, është e papërgjegjshme, e pamatur, e dëmshme dhe e dënueshme ta quash shtetin tënd ‘terrorist’, kur ai përpiqet të ruajë shëndetin tuaj dhe të qytetarëve”, ka shkruar ai.