Raka: Nëse nuk respektohen masat do të ketë rritje enorme të rasteve me coronavirus

Mikrobiologu Lul Raka thotë e se lehtësimi i masave nuk nënkupton fitoren ndaj coronavirusit dhe kthimin në normalitet. “Vendi nuk do të ketë mundësinë që të kthehet në normalitet, ashtu siç ka qenë më 12 mars, një ditë para konfirmimit të rasteve të para”, tha ai.

Raka deklaron se zhdukja e tërësishme e pandemisë COVID-19, mund të bëhet vetëm pasi të zbulohet vaksina, e që mund të zgjasë deri një vit.

Ai thotë se është e pritshme që ditëve në vijim të ketë rritje të lehtë të rasteve, gjë për të cilën sipas tij, duhet që të përgatitemi në mënyrë që të bashkëjetojmë me virusin, por duke pasur kujdes maksimal.

Reklama e sponzorizuar

“Ditëve të fundit, sidomos javën e fundit kemi pasur ulje të madhe të rasteve të reja, dhe ka pasur rritje të rasteve të personave të shëruar. Kemi pasur 87 me 1, (1,4,1), i kemi pasur rastet ditëve të fundit. Kurse numri 8 i djeshëm, ky numër është i pritshëm nëse merret parasysh që me lirimin e masave dhe nëse marrin parasysh edhe daljen e njerëzve që ka pasur ditën e parë. Rezultati shihet për periudhën më të shpejtë të inkubimit, ajo është pesë ditë deri në gjashtë ditë. Është i pritshëm, një rritje e lehtë e rasteve”, thotë Raka, për KosovaPress.

Raka shprehet kritik me mosrespektimin e masave ditëve të fundit.

Sipas tij, paraqitja e numrit më të vogël të rasteve, nuk do të thotë që qytetarët të relaksohen dhe të kthehen në normalitet. E nëse të njëjtit do të veprojnë kështu, ai paralajmëron se do të ketë rritje enorme të rasteve ditëve në vijim.

“Me atë që kemi përmend edhe ditëve të fundit, sidomos gjatë dy javëve të fundit ka qenë se virusi është ende këtu pari. Dhe ne nuk e kemi fituar luftën, e kemi fituar betejën. Një betejë të fazës së parë, e cila ka qenë e menaxhueshme. Dhe nëse i shihni shifrat të rasteve të hospitalizuara dhe të vdekjeve krahasuar me shtetet tjera, do të thotë qëllimi kryesor i masave restriktive ka qenë që të mbahen dhe të mos tejkalohen kapacitet e menaxhueshme të Kosovës. Por, kjo assesi nuk do të thotë që lirimi i masave nuk e kupton fitoren ndaj virusit dhe kthimin në normalitet. Nuk ka kthim në normalitet në datën e 12 marsit, një ditë para se me u vërtetu rasti i parë”, shton ai.

Mikrobiologu Lul Raka konsideron se për daljen masive të qytetarëve në ambiente të hapura, rezultatet nuk do vërehen për 24 orë, por pasojat e neglizhencës së tyre, do të vërehen 14 ditë më vonë.

“Unë apeloj që të kenë kujdes, sepse normalisht nuk mund të mbesim mbyllur derisa ta gjejmë vaksinën edhe duhet me u liru masat. Mirëpo ky lirim i masave duhet të shkoj me përgjegjegjësinë e qytetarëve për të zbatuar masat parandaluese. Në mënyrë që të mos ketë rritje enorme. Në mënyrë që të mos ketë edhe rritje të numrit të atillë, i cili i tejkalon kapacitet menaxhuese të Kosovës”, thekson Raka.

Në sezonin vjeshtore Kosova do të ballafaqohet me dy armiq, atë të coronavirusit dhe gripin sezonal.

“Në sezonin tjetër kur të fillon, edhe Kosova edhe secili shtet në botë, do të ketë kohë të mjaftueshme këta 3-4 muaj që të përgatiten maksimalisht për rastet e reja. Kjo nënkupton që të sigurohen me kohë testet diagnostike me të cilat do të gjurmohen, identifikohen dhe izolohen pacientët që të siguroni kapacitete tjera shtuese, menaxhuese, në radhë të parë respiratorët. Dhe e treta me sigurua pajisje personale mbrojtëse… Këto janë mundësitë të përgatitjes më të mirë që në valën e dytë gjithsesi virusi do të ketë më pak hapësirë që të prek. Sepse tash ka prekur një pjesë të njerëzve. Dhe për këtë arsyeje mendoj që duke u përgatitur kapacitet shëndetësore, duke u fuqizuar më tepër se sa që kemi sot, mendoj që përgjigjja jonë do të jetë shumë më efikase. Në sezonin vjeshtore-dimërore, bashkë me COVID e kemi edhe gripin sezonal, kështu që kemi dy armiq”, thekson Raka.

Në rast se gjatë këtyre ditëve do të ketë numër të madh të paraqitjes së rasteve, Raka konsideron se duhet të vazhdojnë masat e rrepta deri në fund të muajit.