Një prej mjeteve më kryesore të transportit nuk ka qenë në dispozicion për qytetarët për rreth dy muaj, kjo për shkak të pandemisë së koronavirusit. Bëhet fjalë për qarkullimit e trenave në Kosovë, të cilët pas vendimeve të institucioneve nga 23 marsi edhe ndërprenë plotësisht qarkullimin.
E tek pas dy muajve ndërprerje, dje ka filluar qarkullimi i rregullt i linjave në Kosovë përveç asaj të Shkupit.
Në fakt, kthimi i qarkullimit të trenave erdhi pasi nga 18 maji ka hyrë në zbatim faza e dytë lehtësuese e masave që ishin vënë në luftimin e pandemisë COVID-19.
Në këtë fazë bazuar në planin e Ministrisë së Shëndetësisë është paraparë të rihapen floktarët dhe sallonet e bukurisë, stomatologët dhe fizio-terapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregjet e gjelbra, restorantet dhe kafenetë me sistemin për të marrë me vete, apo siç përdoret shpesh në Kosovë termi anglisht “Take away”.
Në këtë fazë, rifillim të punës kanë bërë edhe transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial si dhe galeritë e muzetë.
Ndërkaq nga TRAINKOS kanë bërë me dije për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se qarkullimi i trenit është duke funksionuar i plotë.
Behxhet Haziri, zëdhënës në këtë kompani ka thënë se linja për në Han të Elezit nuk është lëshuar ende deri në një vendim të radhës nga Ministria e Shëndetësisë.
“Prej dje trenat janë duke funksionuar në orar të plotë Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas, ndërsa linja për Han të Elezit e cila të shpie në Shkup nuk është lëshuar ende deri në një vendim të Qeverisë së Kosovës. Masat janë të njëjta ato të cilat janë marrë nga institucionet përkatëse”, ka thënë Haziri.
Ai tutje ka treguar edhe masat mbrojtëse që janë ndërmarr dhe pajisjet pa të cilat nuk do të lejohet udhëtimi me tren në Kosovë.
“Në tren nuk lejohen hyrja e udhëtarëve pa dorëza dhe maska si dhe ta kenë numrin e njëjtë të identidikimit me atë të lirisë së lëvizjes. Të gjithë trenat i kemi dezinfektuar dhe se brenda në tren nuk kemi caktuar se ku të ulen udhëtarët pasi që hapësira është më e madhe në tren dhe mund të mbahet distanca fizike më lehtë”, ka thënë Haziri.
Ndryshe në Kosovë nga 1 qershori pritet të fillojë së zbatuari faza e tretë e lehtësirave masave mbrojtëse nga koronavirusi.
Në fazën e tretë e cila fillon më 1 qershor pritet që përsëri bazuar në situatën epidemiologjike të riorganizohet lëvizja e qytetarëve, ndërsa gjithashtu pritet të lirohet transporti urban dhe ndër-urban në përgjithësi, taksitë, gastronomia në përgjithësi, provimet në arsimin e lartë, hapja e kinemave dhe teatrove, testi i arritshmërisë dhe i maturës dhe hapja selektive e disa sporteve.