Pandemia e koronavirusit e ka goditur rëndë sektorin e shitjes së veturave të reja në Bashkimin Evropian.
Gjatë muajit prill, në tërë Bashkimin Evropian u regjistruan vetëm 271 mijë vetura të reja, 76 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Rënia më e madhe e shitjes së veturave u shënua në Itali me 97.6 për qind dhe në Spanjë me 96.5 për qind. Rënie e madhe e shitjeve u shënua edhe në Gjermani dhe Francë.
Ndërkohë gjatë katër muajve të parë të këtij viti, regjistrimet e veturave të reja kanë rënë për 38.5 për qind.
Sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Veturave (ACEA), rënia e shitjeve ka ardhur si pasojë e ndërprerjes së përkohshme të prodhimit në fabrika dhe mbylljes së dyqaneve si pjesë e masave kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit.