Shoqëritë ajrore kineze ndezin motorët

Nëse ato rimëkëmben brenda vendit, mund të kërcënojnë kompanitë e tjera ndërkombëtare.

Lajmet për linjat ajrore në botë duket se po bëhen gjithnjë e më të këqija. Në prill, Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror parashikoi se të ardhurat globale të industrisë do të binin me 314 miliardë dollarë në vitin 2020, një rënie prej 55% nga viti i kaluar, për shkak të ndërprerjeve të udhëtimeve të lidhura me pandeminë, shkruan The Economist.

Shoqëritë ajrore po pushojnë nga puna me mijëra punëtorë. Në një votë mosbesimi për të ardhmen, më 2 maj, Warren Buffett tha se Berkshire Hathaway, konglomerati i investitorit të madh, i kishte braktisur të gjitha aksionet që zotëronte në kompanitë ajrore amerikane. Megjithatë, qiejt në një pjesë të botës, duken më pak të zymtë. Industria e aviacionit në Kinë, ku u zbulua për herë të parë COVID-19, mund ta ketë lënë pas më të keqen.

Reklama e sponzorizuar

Kurba pandemike në Kinë filloi të rrafshohej disa javë para se pjesa tjetër e botës nisi të karantinohej. Ndërkohë që kufizimet e udhëtimit brenda vendit janë lehtësuar dhe zyrat po hapen, fluturimet e brendshme po rinisin aktivitetin (shiko grafikun). Në javën e parë të majit, që në Kinë është festë, kapaciteti i fluturimeve ishte planifikuar se do të ishte vetëm 10% më i ulët se në të njëjtën periudhë një vit më parë, vlerëson kompania e konsulencës CAPA Center for Aviation. Në Amerikë, kjo shifër ishte 73% më e ulët.

Teksa rivalët perëndimorë ulin fluturimet, China Eastern këtë muaj fitoi titullin e linjës ajrore më të madhe në botë, për nga kapaciteti i sediljeve aktuale, sipas OAG-së, një kompanie që merret me të dhënat e aviacionit.

Pesimistët pretendojnë se kompanitë kineze po bëjnë fluturime me aeroplanë bosh për të rritur artificialisht kapacitetin e deklaruar. Megjithatë, të dhënat (e vetëraportuara) nga tre kompanitë më të mëdha të Kinës – Air China, China Southern dhe China Eastern – tregojnë se “faktori i ngarkesës së pasagjerëve”, një masë e efikasitetit, ishte mesatarisht 68% në tremujorin e parë, krahasuar me 80-85% në vitin 2019, por gjithsesi një shifër e mirë. Spring Airlines, një shoqëri ajrore private nga Shangai me kosto të ulët, raportoi një faktor ngarkese prej 73% në tre muajt e parë të vitit 2020. Në shenjë optimizmi, Spring shtoi ose rivendosi 47 rrugë të brendshme më 3 maj.

Nga ana tjetër, shoqëritë ajrore kineze kanë pësuar një goditje të madhe. Të ardhurat e tre shoqërive më të mëdha, ranë me 46% në tremujorin e parë, në 54 miliardë juanë (7.7 miliardë dollarë). Ato pësuan një humbje totale neto prej 14 miliardë juanë. Çmimet e tyre të aksioneve mbeten rreth 25% më pak se niveli i janarit, kur COVID-19 filloi të përhapej me shpejtësi në qytetin e Wuhan. Por kjo është një shifër mjaft pozitive në krahasim me rivalët e tjerë. Indeksi i linjave ajrore botërore Bloomberg, i cili gjurmon dy duzina linjash ajrore globale, është përgjysmuar gjatë kësaj periudhe.

Efektet

Kelvin Lau nga Daiwa Capital Markets, një ndërmjetës, parashikon se ndalimet e udhëtimit dhe karantinat, do të shkurtojnë të ardhurat e tre shoqërive më të mëdha ajrore me më pak se një të tretën këtë vit, në 286 miliardë juanë. Asnjë nga tre kompanitë nuk ka kryer shkarkime masive nga puna.

Treshja i shërben tregut të dytë më të madh në botë pas Amerikës dhe duke qenë se kontrollohen nga shteti, shoqëritë kineze mund të përdorin mbështetjen e qeverisë më lehtë se kompanitë amerikane (ndihma financiare e të cilave prej 58 miliardë dollarësh, është e kushtëzuar me pezullimin e pagave për aksionerët).

Çështja se sa shpejt do të rikthehet udhëtimi ajror kinez në normalitetin para pandemisë, mbetet e pasigurt. Një valë e dytë infeksionesh mund t’i ndalojë ato përsëri. Por një gjë duket e sigurt: tre shoqëritë më të mëdha ajrore kineze, të cilat përbënin 41% të kapacitetit të brendshëm në vitin 2019, në krahasim me 59% në vitin 2010, sipas kompanisë së të dhënave Cirium, do të riafirmojnë mbizotërimin e tyre.

Teksa firmat nxitojnë të rrisin kapacitetin për të mbrojtur pjesën e tregut, faktorët e ngarkesës mund të mbeten në depresion, duke ushtruar trysni ndaj shoqërive më të dobëta si Hainan Airlines, e katërta më e madhe në Kinë (e cila muajin e kaluar kërkoi të vonojë pagesën prej 750 milionë juanë në bono maturimi). Dhe nëse një rimëkëmbje e fortë në vendin e tyre përkon me përkeqësimin e vazhdueshëm të shoqërive ajrore të botës, gjigantët shtetërorë kinezë, mund të marrin në zotërim një pjesë më të madhe të rrugëve ndërkombëtare.