Kompania “Newko Balkan” ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me tenderin 5-milionësh të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për “Furnizim me shirita transportues gomë-pëlhurë”. Kjo, pasi sipas saj, vendimet e fundit të Organit Shqyrtues të Prokurimit që e shpallin atë të papërgjegjshme, i kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke e vënë në pikëpyetje edhe vazhdimin e aktivitetit të kompanisë.
Thotë se nëse nuk merren masa, do të shqyrtojnë rastin të tërheqin investimet nga Kosova.
KEK-u më 24 prill ka rekomanduar për kontratë kompaninë “SNR”, edhe pse kjo kompani ka çmimin rreth 82 mijë euro më të shtrenjtë se “Newko Balkan” për tenderin “Furnizim me shirita transportues gomë-pëlhurë”.
Megjithatë, në KEK thonë se pas tri vendimeve në lidhje me këtë lëndë, OSHP-ja ka vlerësuar se operatori ekonomik “Newko Balkan” është i papërgjegjshëm, ndërsa kompania tjetër “SNR” është e përgjegjshme, raporton KOHA.
“Sipas Ligjit, vendimet e OSHP-së janë të obligueshme të zbatohen nga KEK, si Autoritet Kontraktues. Si rrjedhim, sipas vendimit (nr. 153/20 të datës 21.04.2020) të OSHP-së, KEK-u ishte obliguar të rekomandojë OE N.T.P “SNR” për dhënie të kontratës”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut për gazetën.
Në KEK thonë se kompania “Newko Ballkan” L.L.C dy herë është rekomanduar për dhënie të kontratës nga KEK-u si Autoritet Kontraktues, duke marrë parasysh çmimin më të lirë të ofruar, përkundër disa devijimeve të vogla që ishin sqaruar gjatë procesit të vlerësimit.