Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar krerët e institucioneve dhe partive politike që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen kushtetues të dekretit të tij për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër. Ai ka thënë se vendi ka nevojë për formim sa më të shpejtë të qeverisë së re.
“Si president i vendit e mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë formimit të qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Kam qenë i kujdesshëm në çdo hap që kam ndërmarrë që të jem në përputhje me Kushtetutën. U konfirmua edhe mbrëmë me vendim unanim të gjyqtarëve të Kushtetueses. Më e rëndësishmja është se ajo konfirmoi se Kuvendi është institucioni më i lartë politik në vend”, ka thënë ai në një konferencë të premten.
“Duhet sa më parë duhet të formohet qeveria e re. Rrethanat kërkojnë qeveri efektive e efikase. U bëj thirrje të gjitha institucioneve e partive të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka vazhduar Thaçi.