Zyra e UNICEF-it në Kosovë planifikon të realizojë programin gjithëpërfshirës për fuqizimin e rreth 10.000 të rinjve.
Kjo është bërë e ditur sot pas një takimi mes ministres në detyrë të Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe shefit të UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin.
Dumoshi njoftohet se ka vlerësuar lartë angazhimin e UNICEF-it në programe të ndryshme fuqizuese për të rinjtë e Kosovës.
“Ajo theksoi se angazhimi i të rinjve dhe infrastruktura ligjore që garanton siguri, punë e aktivizëm të të rinjve në Kosovë duhet të jetë kruciale për institucionet e Kosovës. Ndër të tjera e përgëzoi edhe për iniciativën gjithëpërfshirëse #vizapërfëmijë, e cila përmes përkrahjes dhe thirrjeve për promovimin e politikave gjithëpërfshirëse, ka kontribuar për ambient të barabartë për çdo fëmijë”, thuhet në njoftimin e MKRS-së dërguar mediave.
Sahin ka njoftuar Dumoshin për programet e UNICEF-i të cilat fokusohen në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në fuqizimin e rinisë dhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara.
“Zyra e UNICEF-it në Kosovë që nga viti 2014 implementon programe dhe platforma për të rinj, si UPSHIFT, PODIUM, PONDER, KoVo dhe U-Report, të cilat fuqizojnë të rinjtë dhe i ndërtojnë shkathtësitë për punë dhe jetë. Marrë parasysh situatën me Covid-19 dhe pasojat ekonomike e shoqërore që do të ketë për shoqërinë, pikë kyçe e këtij takimi ishte bashkëpunimi i mëtejmë i MKRS-së dhe UNICEF-it në lidhje me një program gjithëpërfshirës (Kosovo Generation Unlimited) për fuqizimin e rreth 10.000 të rinjve në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.