Turizmi global pritet të bjere me 70 për qind këtë vit, në krahasim me vitin e kaluar, deklaroi sot kreu i Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO).
Situatat e mëparshme të krizës globale kanë bërë që turizmi të bjerë nga 10 deri në 20 për qind, por pandemia e Covid-19 ka qenë më e keqja, tha Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO, Zurab Pololikashvili në një konferencë për shtyp në Madrid.
Këtë verë, më shumë njerëz do të zgjedhin udhëtimet tokësore e vendase sesa ato ajrore, më shumë turizmin rural në male sesa plazhet. Kështu që turizmi malor do të përfitojë më shumë.
UNWTO pret që më shumë fluturime ndërkombëtare të rifillojnë nga shtatori nëse virusi do të jetë më shumë nën kontroll në atë kohë.
Në një deklaratë të 11 majit, UNWTO me qendër në Madrid tha që kërkimet e tij deri në fund të prillit zbuluan se 100% e 217 destinacioneve që ata vëzhguan në të gjithë botën kishin kufizime të udhëtimeve për shkak të virusit për turistët ndërkombëtarë.
Ndërsa vendet fillojnë të rihapen për udhëtime, Pololikashvili tha se Europa do të shihet si një model për t’u ndjekur, sepse është historikisht rajoni më i vizituar, dhe më i përgatituri, përfshirë infrastrukturën e tij të kujdesit shëndetësor.
“Të ashtuquajturat “korridore të gjelbërta” që do të lejonin udhëtimin midis dy rajoneve në vende të ndryshme, që kanë demonstruar nivele të ulëta të infeksionit të Covid-19, mund të jetë një hap i parë për të rifilluar turizmin ndërkombëtar, tha ai.
Por Pololikashvili tha që preferon t’i quante ata “korridore të sigurt”, në mënyrë që turistët të mos e marrin virusin në destinacionin e tyre dhe gjithashtu të mos e çojnë atë në shtëpi./CNN