Hulumtuesit italianë thonë se kanë zhvilluar një vaksinë e cila neutralizon koronavirusin në qelizat njerëzore.
Testimet e bëra në Spitalin për sëmundje infektive Spallanzani në Romë, kanë treguar krijimin e antitrupave të minjtë.
“Ky është niveli më i avancuar i testimit të një vaksine të krijuar në Itali”, tha Luigi Aurisicchio, drejtor i Takis, kompani e cila po punon në këtë drejtim.
“Sipas spitalit Spallanzani, aq sa dimë jemi të parët në botë deri tani që kemi demonstruar neutralizimin e koronavirusit me anë të vaksinës”, tha Aurisicchio për agjencinë italiane të lajmeve Ansa. “Presim rezultate të njëjta edhe në njerëz. Testimet priten të bëhen pas verës”.
Pas një vaksinimi të vetëm, minjtë zhvilluan antitrupa të cilët janë në gjendje të bllokojnë virusin nga infektimi i qelizave të shëndosha.
Testet e ardhshme do të bëhen për të kuptuar se sa zgjatë imunizimi.
Javën e kaluar, ekspertët e Universitetit të Oksfordit thanë se rezultatet e para të testimeve të vaksinës së koronavirusit mund të jenë të gatshme në mes të qershorit. Ky institucion gjithashtu lajmëroi një partneritet të ri me kompaninë gjigante farmaceutike AstraZeneca.
Testimet në njerëz për vaksinën e zhvilluar në institutin Jenner të këtij universiteti filluan muajin e kaluar dhe qindra vullnetarë u bënë pjesë e studimit, shkruan the Independent.