Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksander Vuçiq, thotë se nuk e nënshkruan një marrëveshje me Kosovën që si rezultat do të kishte njohjen reciproke, edhe përkundër faktit se një gjë e tillë po kërkohet nga pala kosovare.
Këto deklarata Vuçiq i ka bërë në një intervistë për RTS teksa ka folur për Samitin e Zagrebit, emërimin e Miroslav Lajçak, dhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Vuçiq ka thënë se nëse serbët deshirojnë ta njohin Kosovën, atëherë duhet të gjejnë një president tjetër.
“Ata po thonë që e duan njohjen nga Serbia, dhe unë s’mund të them që do të pranojmë pavarësinë e Kosovës. Nëse ata (serbët) e kanë dikë që mund të thotë një gjë të tillë, le ta zgjedhin, zgjedhjet presidenciale do të jenë në më pak se një vit”, ka thënë Vuçiq, trasnmeton Gazeta Express.
Ai gjithashtu është pyetur edhe për deklarimet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, rreth çështjes së korrigjimit të kufijve, megjithatë ka qenë fjalëpak.
“Unë s’kam kurrfarë ideje se s’i mund të duket zgjidhja”, është shprehur Vuçiq.
Teksa ka folur ndërkohë për diskutimet në Samitin e Zagrebit, Vuçiq ka thënë se kancelarja gjermane, Angela Merkel, shumicën e fjalimit të saj ia ka kushtuar çështjes së dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Pas Samitit të Zagrebit ndërkohë konferencë për media ka mbajtur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.