Përkundër që në Kosovë për shkak të pandemisë, është shtyrë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të dy komunave, të Podujevë dhe asaj të Mitrovicës së Veriut, nën monitorimin e OSBE-së, sot në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë po mbahen zgjedhje parlamentare të Serbisë.
Megjithatë, mbajtja e zgjedhjeve të shtetit serb në Kosovë po konsiderohen si vendim i cili nuk përputhet me Kushtetutën e Kosovës.
Njohësi i çështjeve kushtetuese në vend, Riza Smaka, thotë se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe rendin juridik në Kosovë.
Sipas tij, mbajtja e këtyre zgjedhje të shtetit serb në Kosovë, po ndodh për shkak të lëshimeve që po i bëjnë përfaqësuesit jo meritor të Kosovës.
“Nuk ka kurrfarë dileme që mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të një shteti tjetër në një shtet që bie ndesh dhe është në kolizion me Kushtetutën, por në vendin tonë ka shumë abnormalitete edhe situata që më të vërtetë janë specifike që nuk ndodhin në shtetet tjera, por kjo është ndër të tjerash edhe pasojë e statusit të Kosovës të problematizuar në masë të madhe nga përfaqësuesit inkompetent dhe inmeritor të vendit tonë që kanë bërë lëshime lëshime, konsensione prej fusnotës e radhë më radhë. Ky është nga konsesionet e radhës të qeverisë aktuale që të mbahen zgjedhjet për deputetët e Kuvendit të Serbisë, për funksionarët e shtetit serb, i cili nuk na njeh. Po të ishte shtet fqinj që do na pranonte dhe njihte edhe reciprokisht do të arriheshin marrëveshje. Gjithsesi është në kolizion me Kushtetutën dhe me rendin juridik të Kosovës”, tha ai.
Smaka për KosovaPress, thotë se Kushtetuta e përcakton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon zgjedhjeve në Kosovë, prandaj sipas tij, mbajtja e zgjedhjet parlamentare të Serbisë në vendin tonë nuk janë në harmoni me rregullativën e KQZ-së.
“Kushtetua e ka përcaktuar statusin të Këshillit të Komisionit Qendror për Zgjedhje që më pastaj edhe me ligj është detajuar rregullative juridike e organizimit, strukturimit dhe funksionimit të KQZ-së që u referohet qytetarëve të Kosovës që kanë të drejtë vote për të votuar për personat që pretendojnë të bëhen deputetë apo funksionarë publikë të është kësisoj, nuk është në harmoni me rregullativën e KQZ-së”, deklaroi Smaka.
Edhe në Kushtetutën e Kosovës nuk është paraparë që një shtet tjetër mund të organizojë zgjedhje në vendin tonë. Madje nuk është paraparë që ndonjë organizatë ndërkombëtare, siç është në këtë rast, OSBE mund t’i lejohet të mbajë zgjedhje në vendin tonë.
Kjo pasi, i vetmi institucion që mund të organizojë zgjedhje sipas nenit 139 të Kushtetutës, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre”, thuhet në pikën 1 të këtij neni të Kushtetutës.
Ish zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi për KosovaPress, ka thënë se mbajtja e zgjedhje parlamentare serbe në vendin tonë dëshmon se Qeveria e Kosovës po i ofron mundësi qeverisë serbe që të ketë ndikimin e vetë në Kosovë.
Votimin në këto zgjedhje të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Goran Rakiq, Abazi e ka quajtur shuplakë për presidentin, Hashim Thaçi, dhe lidershipin e LDK-së.
“Kjo që po ndodhë është dëshmi që veçse janë kthyer në funksionimin e vjetër të qeverisë e cila realisht po vazhdon të ofron mundësinë për qeverinë serbe që edhe Serbinë që të ketë ndikimin e vetë në Kosovë në vazhdimësi, gjithashtu fotografi që sot zëvendëskryeministri i qeverisë ilegale zotëri Rakiq voton në zgjedhjet serbe është shuplakë edhe për zotëri Thaçin edhe për lidershipin e LDK-së, sepse ai e konsideron se është në një qeveri e cila nuk është qeveria e shtetit të pavarur dhe qeveria e tij është qeveria e Serbisë që merr vendime dhe zgjidhet nëpërmjet votës. Prezenca e zëvendëskryeministrit të qeverisë ilegale Rakiq në vendvotimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është konfirmimi i asaj që ka pranuar Thaçi dhe qeveria ilegale e tanishme që të jenë në përkufizimin e 1244 të rezolutës. Që do thotë që assesi këta nuk përfaqësojnë shtetin e pavarur të vendit”, tha ai.
Derisa mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë i konsideron paradoksale, Abazi thotë se presidenti i Kosovë, Hashim Thaçi, dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, për interesa të tyre po e zhbëjnë sovranitetin e vendit.
Ish-zëvendëskryeministri në qeverinë Kurti, Haki Abazi thotë se është e turpshme që qytetarëve të Kosovës nuk iu lejohen të votojnë për të zgjedhur kryetarin e komunës së Podujevës dhe Mitrovicës veriore, ndërsa atyre serbë u lejohet të zgjedhin përfaqësuesit e shtetit të Serbisë.
“Paradoksi më i madh është se derisa nuk mbahen zgjedhjet në Mitrovicën Veriore ku pozicion i kryetarit të komunës është vakant, po ashtu edhe i Podujevës e bënë në fakt këtë klasë politike që tanimë pretendon që mendoj në mënyrë ilegale është në pozitë që janë e bënë të turpshme faktin që lejon zgjedhje të një shteti këtu, ndërsa qytetarët e Podujevës dhe Mitrovicës Veriore privohen nga e drejta për të pasur përfaqësimin e tyre demokratik në rastin e kryetarit të komunës. Nuk besoj që do koment që gjithçka që është bërë në gjashtë muajt e fundit në një kombinacion Thaçi-Mustafa është në zhbërjen e sovraniteti tët vendit dhe indikatorë që këta janë të gatshme për kompromise deri në ndarje për ta akomoduar vetveten dhe interesat e tyre përbrenda asaj që quhej proces i shtet ndërtimit”, deklaroi Abazi.
KosovaPress gjatë ditës sot ka kontaktuar zëvendëskryeministrin e Kosovës, Driton Selmanaj, për të marrë një qëndrim lidhur me zgjedhjet serbe që po mbahen në territorin e Kosovës. Ai tha se nuk ka asgjë çka të shtojë përveç asaj që ka dhënë gjatë ditës së djeshme kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Hoti dje deklaroi se edhe në qeverisjen e tij janë duke vazhduar të njëjtat aranzhime që kanë ekzistuar më herët për këto lloj zgjedhje.
“Nga viti 2011-12 ka një aranzhim në mes të institucioneve të Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë për organizimin dhe menaxhimin e mbledhjes së votave në Kosovë. Unë kam lejuar mbajtjen, të njëjtat aranzhime që kanë ekzistuar më herët për këto lloj zgjedhje edhe tash përmes OSBE-së”, deklaroi Hoti.
Në Kosovë edhe më herët janë mbajtur zgjedhjet e Serbisë në komunat me shumicë serbe, të fundit ishin ato presidenciale të mbajtura në prill të vitit 2017 të cilat u lejuan nga qeveria e Kosovës dhe u monitoruan edhe atëherë nga OSBE.