Pandemia e COVID-19 do të jetë një goditje shkatërrimtare për ekonominë e botës. Kështu thotë presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

Ai paralajmëron se mënyra e jetesës së miliarda njerëzve do të preket nga pandemia dhe se rënia ekonomike mund të zgjasë për një dekadë.

Reklama e sponzorizuar

Në muajin maj, Malpass paralajmëroi se 60 milionë njerëz mund të shkojnë në varfëri ekstreme nga efektet e Coronavirusit.

Banka Botërore e përcakton varfërinë ekstreme si jetesë me më pak se 1.90 dollarë për person në ditë.

“Kombinimi i pandemisë me izolimet, ka bërë që jetët e miliarda njerëzve të ndryshojnë. Kjo është shqetësuese. Pasojat direkte, do me thënë humbja e të ardhurave, por edhe ato shëndetësore dhe sociale, janë shumë të rënda”, tha ai në një intervistë për BBC, përcjell Telegrafi.

Banka bashkë me institucionet e tjera të ngjashme, kanë ofruar mbështetje për vendet më të prekura të botës por thotë se nevojitet shumë më tepër.

Ajo po i kërkon huadhënësve komercialë si bankat dhe fondet e pensioneve, të ofrojnë lehtësira për borxhet ndaj vendeve të varfra. /Telegrafi/