50 punëtorë shëndetësorë në Prishtinë futen në vetizolim, ndryshon orari i QMF’ve

Në nëntë ka shkuar numri i punëtorëve shëndetësorë të Prishtinës që janë infektuar me virusin COVID-19. Prej tyre, shtatë janë infermierë, një mjek dhe një laborant.

Katër mantelbardhët e fundit të infektuar janë infermierë të Qendrës së Mjekësisë Familjare numër 4 në “Kolovicë”.

Brenda dy ditëve do të publikohen rezultatet edhe të 12 punëtorëve të tjerë që janë testuar, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Kurse, deri më tani, 50 punëtorë shëndetësorë janë dërguar në vetizolim për shkak të kontakteve me kolegët e infektuar. E kjo situatë ka bërë që orari i punës të ndryshojë në dy qendra.

Ky sektor ka qenë i paprekur nga virusi deri të premten e shkuar, kur u konfirmuan pesë rastet e para.

Ndërsa, në kohën kur kryeqytetit i mungojnë 40 anëtarë të personelit shëndetësor, vazhdimi potencial i infektimeve në këtë sektor vlerësohet problematik nga komuna.

Zëvendësimi i punëtorëve të pensionuar, sipas komunës, nuk është arritur të bëhet për shkak të problemeve me Ligjin për Pagat dhe atë të shërbyesve civilë.