Aktakuza kundër Thaçit e Veselit në dorën e një gjykatësi francez të Speciales

Prokuroria e Specializuar e Hagës gjatë ditës së djeshme lëshoi një komunikatë për media, nga ku bëri të ditur se ka përpiluar një aktakuzë kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. E njëjta më 24 prill është dërguar në Gjykatë, teksa pritet të vendoset për rrëzimin ose konfirmimin e saj.

Më 23 prill të këtij viti, Prokuroria e Specializuar kishte njoftuar se ka përzgjedhur një gjyqtar të procedurës paraprake, që do të ketë në dorë aktakuzën e tretë me radhë të ngritur nga ky institucion ndjekës, shkruan lajmi.net.

Atë kohë, dokumenti i klasifikuar si konfidencial, kishte ndryshuar cilësimin vetëm pas katër ditësh, kur edhe ishte publikuar. Dokumenti në fjalë, mban datën e 23 prillit të orës 17:16, ndërsa në të nuk jepet asnjë detaj tjetër përveç emrit të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Reklama e sponzorizuar

Një ditë më pas, Prokuroria dërgon në gjykatë aktakuzën kundër Thaçit, Veselit dhe të tjerëve, mirëpo që nuk bën të ditur asnjë detaj në lidhje me të, pasi që ashtu edhe e përcaktojnë rregullat dhe ligjet e funksionimit të këtij institucioni. Dje, Prokuroria e Specializuar publikoi një pjesë të akuzave kundër Thaçit e Veselit “dhe të tjerëve”, duke lënë kështu dyshime se kjo komunikatë mund të ketë ngjyrime politike, pasi janë shkelur rregullat e funksionimit të saj.

Nisur nga fakti që aktakuza është dërguar më 24 prill, gjyqtari i procedurës paraprake ka edhe katër muaj kohë që ta konfirmojë atë ose ta hedhë poshtë.

E kjo aktakuzë do të jetë në dorë të një gjykatësi francez, Nicolas Guillou. Për të mund të gjenden edhe të dhëna mbi historinë e tij profesionale. Guilliu ka qenë që nga viti 2015, shef i kabinetit të Kryetarit të Tribunalit Special për Libanin.

Që nga vitit 2012, ai u emërua prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndihmoi në bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve për çështje penale dhe civile, veçanërisht për kundërterrorizmin, praktikat e korrupsionit në vende të huaja dhe krimin kibernetik.

Gjatë periudhës 2006-2012, gjykatësi Giju shërbeu në poste të ndryshme në Ministrinë e Drejtësisë së Francës si zëvendëskreu i seksionit për të drejtën tregtare, këshilltar për çështje penale dhe këshilltar për çështje diplomatike.

Nga viti 2003 deri më 2006, gjykatësi Giju punoi si gjykatës hetimor në gjykatën e Mosë (Meaux), afër Parisit, ku trajtoi çështje të ndryshme penale si vrasje të qëllimshme, krimin e organizuar dhe krimin financiar.

Prokuroria Speciale e Hagës përveç ndaj Thaçit, Veselit e të tjerëve në gjykatë kishte dërguar edhe dy aktakuza tjera, ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së.

Të njëjtat janë proceduar më 14 shkurt të këtij viti në Gjykatë, ndërsa i njëjti gjyqtar është caktuar për procedurën paraprake, konfirmimin e aktakuzës apo hedhjes poshtë të saj.