Anëtarët e bordit në “Bifurkacion” morën bonuse të paligjshme

Ndërmarrja publike “Bifurkacioni” e mbylli vitin 2019 me humbje, por kjo nuk i kishte penguar anëtarët e Bordit që të marrin bonuse e shtesa, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, dy nga anëtarët e Bordit të Drejtorëve ishin kompensuar edhe me shtesën e përvojës së punës, për gjithë vitin në shumën 326 euro, përkatësisht për muajin dhjetor, në shumën 36 euro.

Mirëpo, sipas Ligjit Për Ndërmarrjet Publike, një ndërmarrje është përgjegjëse për pagimin e të gjithë kompensimit për drejtorët e saj vetëm nga pagesat e parapara me vendimin e aksionarit, në këtë rast Qeverisë.

Reklama e sponzorizuar

“Pas trajtimit të kësaj çështje nga ana e jonë, sipas zyrtarit nga Burimet Njerëzore, ky ishte një gabim teknik nga ana e Departamentit të Administratës, por i cili do të përmirësohet në mënyrë retroaktive më pagesat për muajit e ardhshëm”, thuhet në raportin e Auditorit.

Përveç kësaj, për Drejtorët jo ekzekutiv të Bordit, ishin realizuar pagesat për mbushje telefonike për çdo muaj të vitit fiskal. Shuma totale e këtyre shpenzimeve ishte 692 euro.

Sipas zyrtarëve të kompanisë, pagesa për këto shpenzime ka ndodhur si rrjedhojë e vazhdimësisë së praktikave të zbatuara nga vitet e mëparshme, bazuar në një procesverbal të takimit të Bordit të Drejtorëve të mbajtur me 16.04.2014.

Por Auditori thotë se këto pagesa nuk janë në bazë të ligjit.

“Pagesa e shtesave dhe beneficioneve tjera, përveç kompensimit për anëtaret e bordit, cilësohet se është jo në përputhje me Ligjin për ndërmarrjet publike dhe cilësohet e parregullt”.

Në fund, Auditori i rekomandon Bordit të Drejtorëve që të shfuqizojë vendimin i cili është në kundërshtim me ligjin dhe të sigurojë që niveli i pagesave të Bordit të jetë sipas vendimit të Qeverisë për punën e kryer në Borde dhe Komisione në përputhje me kornizën ligjore.

Ndryshe, “Bifurkacioni” është ndërmarrje publike e cila menaxhon me ujin e pijshëm dhe ujërat e zeza për komunat e Ferizajit dhe Kaçanikut. /Buletini Ekonomik/