Auditori i përgjithshëm Besnik Osmani, ka treguar se 11 ndërmarrje publike që auditon Zyra Kombëtare e Auditimit, kanë borxh në vlerë prej 65 milionë eurosh.
I ftuar në emisionin “Raport” të KTV-së, Osmani ka thënë se borxhi është afatshkurtër dhe afatmesëm.
Ai ka folur edhe për ndërhyrjet e qeverisë Kurti në këto ndërmarrje, që ka shkarkuar e emëruar drejtorë të bordeve.
“Unë si auditor nuk jam i autorizuar të ndërhyjë në vendimet e qeverisë, por ajo që mund të konfirmojë është se, bazuar në raportet tona, ndërmarrjet publike i kemi në gjendje të keqe, në kuptim financiar dhe të menaxhimit të tyre. Kanë borxhe afatshkurtra e afatmesme në vlerë 65 milionë euro, e që rrezikojnë ofrimin e shërbimeve të qytetarëve dhe stafit. Në këtë pozitë i bëjnë presion edhe buxhetit të Kosovës”, ka thënë Osmani.
Ai thotë se auditimi ka nisur në vitin 2016 me katër ndërmarrje publike, e deri më 2019 ka shkuar në 11. Për këtë vit janë shtuar edhe tri ndërmarrje për auditim.
Ka treguar edhe për dy ndërmarrje ku nuk ka qenë i mundur të bëhet auditimi, meqë Zyra e Auditimit nuk ka pasur në dispozicion dokumentacion të besueshëm.
“Ky është opinion i kundërt”, tha ai.
Osmani tregoi se 11 ndërmarrjeve publike u janë dhënë 143 rekomandime. Sipas tij, 65 janë zbatuar, 25 janë në proces e 51 të tjera nuk janë prekur fare.
“Pikërisht këto 51 rekomandime janë më të vështirat për përmbushje, pasi lidhen kryesisht me menaxhimin financiar, lidhen me vijimësinë në të ardhmen. Niveli i zbatimit të rekomandimeve është i ulët”, ka thënë Osmani në Raport.
Gazetarja Thaçi – Mehmeti tregon për lidhjet kriminale me rastin e punësimeve familjare
Gazetarja Ardiana Thaçi – Mehmeti ka thënë se ka pasur lidhje kriminale mes anëtarëve të bordit dhe njerëzve në Telekom me rastin e punësimit të familjarëve të tyre. Thaçi -Mehmeti ka raportuar në KOHË për shumë skandale që kishin të bëjnë me punësimin në Telekom.
Duke folur për emisionin Raport në KTV, Ardiana Thaçi – Mehmeti ka thënë se ishte e paimagjinueshme që një person të punësonte katër fëmijët e tij në të njëjtën organizatë.
“Raportimet që ne i bëmë në KTV treguan saktësisht se si është keqpërdorur pozita e bordeve, se si është keqpërdorur gjithçka tjetër që ka pasur të bëjë me Telekomin, po flas konkretisht për bordin e Telekomit. Ne arritëm që për secilin anëtar të bordit të publikonim afera të ndryshme që nuk lidheshin vetëm me punësime, por edhe me kontrata të dëmshme, e edhe për skandale të ndryshme”, ka thënë gazetarja Thaçi – Mehmeti. Ajo ka folur për rastin e anëtarit të bordit, Osman Ejupi.
“Të gjithë e dinë historinë e Osman Ejupit që arriti t’i punësojë katër fëmijët aty. Kur neve na erdhi sinjali që një anëtar i bordit ka arritur t’i punësoj katër fëmijë, për mua personalisht ka qenë e paimagjinueshme. Unë kam qeshur dhe kam thënë me siguri nuk është e vërtetë. Kur Osman Ejupi dha dorëheqje, unë arrita t’i kem shumicën e dokumenteve që tregonin se si u punësuan fëmijët e tij dhe si bënë kontrata të rregullta. Kanë qenë tri komisione të ndryshme të cilët i kanë punësuar të katër fëmijët e tij. Secili anëtar i komisionit e ka punësuar edhe një anëtar të vetin. Ka qenë një lidhje, nëse mund ta quaj edhe kriminale, mes vet anëtarëve të bordit dhe njerëzve brenda Telekomit, që e kanë shfrytëzuar njëri-tjetrin për të bërë favore, për të arritur qëllimet e veta”.
Thaçi: Sundimi i ligjit dhe përmirësimi i ambientit të të bërit biznes, vitale për ndërmarrjet publike
Berat Thaçi, nga Instituti GAP, në emisionin “Raport” të KTV-së ka thënë se për përmirësimin e situatës në ndërmarrjet publike nuk mjaftojnë vetëm shkarkimet, porse duhet të ketë sundim të ligjit dhe përmirësim të ambientit të të bërit biznes.
Sipas tij bordet luajnë një rol shumë të rëndësishëm brenda ndërmarrjeve publike.
“Bordi është trupa më e lartë në një ndërmarrje publike dhe ka rol kyç në të. Ai është tejet me rëndësi sepse ai e përzgjedh menaxhmentin. Tek ne bordet kanë rol mbikëqyrës. Nëse ka devijime në menaxhment ajo fillon nga bordi që zgjidhet nga Qeveria. Edhe nëse menaxhmenti ka qëllime të mira nga bordi që devijon ata janë të varur prej bordit pasi mund të shkarkohen shumë lehtë. Kjo e bën (menaxhemntin) shumë të varur nga bordi. Historikisht ndërmarrjet publike kanë problem se në vend që t’i shërbejnë qëllimit të rritjes së kompanisë, shpesh këto objektiva dëmtohen nga ato politike”, ka thënë Thaçi.
Thaçi tutje shton se politika ka dëmtuar shumë ndërmarrjet publike në vend.
“Te ne kryesisht ndërmarrjet publike kanë funksionuar nën një ndikim të fuqishëm nga politika që ka dëmtuar ndërmarrjen. Në disa mënyra është dëmtuar interesi publik e i punëtorëve. Parimi kryesor është se duke respektuar normat etike dhe profesionale të gjithë anëtarët e bordeve duhet ta mbrojnë interesin publik dhe mirëfunksionimin e ndërmarrjes dhe të mos bëhen pre e grupeve të interesit të caktuara, që jo domosdoshmërisht janë politike”, është shprehur ai.
Faktor tjetër, sipas tij, është edhe mungesa e funksionimit dhe sundimit të ligjit.
“Në Kosovë ka një mungesë të bashkëpunimit me trupat inspektuese mes nivelit qendror e lokal. Ne duhet ta përmirësojmë ambientin e të bërit biznes në Kosovë. Nevojitet një qasje edhe sa i përket përmirësimit të menaxhmentit por edhe të të bërit biznes. Është me rëndësi që të ndërmerren reforma që të përmirësohet performanca”, ka thënë Thaçi.
Përfshirjen e kompanive profesionale në rekrutim Thaçi e sheh një hap shumë pozitiv.
“Ky ka qenë një rekomandim i hershëm i GAP-it. Mirëpo, nuk duhet të varemi vetëm nga ndihma e Ambasadës Britanike në përzgjedhjen e njerëzve profesionistë. E dimë që kompania në fjalë ka ndihmuar në këtë proces”, ka thënë Thaçi.
Ai ka treguar se kjo kompani dërgon një listë tek Qeveria, e është ajo e cila e bën përzgjedhjen e bordeve, e që shpesh herë nuk janë përzgjedhur më të mirët.
“Është shumë e nevojshme të bëhet sundimi i ligjit. Shpesh çfarë i ndal personat të mos bëjnë gabime është sundimi i ligjit dhe duhet të kemi një prokurori proaktive. Nëse e përmirësojmë vetëm një faktor s’do të jetë e mjaftueshme të përmirësimit të performancës”, ka thënë Thaçi.
Kurse për Njësinë e Menaxhimin të Ndërmarrjeve Publike në kuadër të Ministrisë së Zhvillimeve Ekonomike ai ka thënë se është e një rëndësie të veçantë, porse ajo ka dështuar të përmbushë detyrat e saj.
“Në bazë të ligjit kjo njësi ka një sërë detyrash në monitorimit, ndër to është edhe vlerësimi i performancës së bordeve, publikimi i të dhënave financiare. Mirëpo, nëse bëjmë një kontroll e shohim se aty ka 2-3 vite që nuk janë aranzhuar dokumente dhe kjo është një dështim sa u përket ndërmarrjeve publike, dhe ky është një hap prapa dhe çfarëdo ministri që e merr Ministrinë e Zhvillimeve Ekonomike duhet t’i japë një vëmendje të veçantë kësaj njësie. Monitorimi dhe sigurimi i transparencës është tejet me rëndësi sepse këto janë ndërmarrje publike dhe interesi është publik që të shohim si po menaxhohen këto ndërmarrje”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij nuk janë të mjaftueshme shkarkimet, dhe secila prej tyre duhet të arsyetohet.
“Çdo ndryshim që bëhet duhet të bëhen arsyetime dhe nuk mjafton vetëm shkarkimi por edhe përzgjedhja. Ne kemi kërkuar se CV-të e personave që aplikojnë të jenë publike. Është shumë me rëndësi që çdo veprim i Qeverisë të jetë transparent dhe të bazohet në kritere”, ka thënë Thaçi.