Bashkëkryesuesi i KE-së për mospjesëmarrjen e palës kosovare: Ky është fundi i takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë

Bashkëkryesuesi i Këshillit Europian për Marrëdhënie të Jashtme Carl Bildt ka komentuar zhvillimet e fundit politike rreth mospjesëmarrjes së delegacionit të Kosovës në takimin e Washingtonit.

”Ky është fundi i takimit të planifikuar të Shtëpinë e Bardhë rreth marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, shkruan Bildt, njofton Klan Kosova.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi anuloi dje pjesëmarrjen e tij në takimin e Washingtonit, ftesë të cilën e kishte bërë ditë më parë emisari special amerikan për dialogun Richard Grenell.

Reklama e sponzorizuar

Kjo për shkak të zhvillimeve të fundit, ku Prokuroria Speciale dorëzoi ndaj tij aktakuzë në Gjykatën Speciale.

Si rezultat i këtij zhvillimi, edhe Kryeministri Avdullah Hoti anuloi pjesëmarrjen e tij  në takimin me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë, me arsyen që delegacioni i palës kosovare pa Presidentin Hashim Thaçi është i përgjysmuar.