BE: Prishtina vendos se kush do ta përfaqësojë në dialogun me Beogradin

Në lidhje me planet evropiane për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi,  zëdhënësja e BE-së Virginie Battu theksoi se Brukseli ishte në dijeni të qëllimit të Presidentit të Kosovës dhe kryenegociatorit të Prishtinës, Hashim Thaçi  për të qëndruar në detyrë.

Kreu i shtetit të Kosovës gjatë një adresimi që e bëri mbrëmë theksoi se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, do të japë menjëherë dorëheqje.

“Ne bëjmë thirrje për bashkëpunim të plotë me Gjykatën Speciale. Ky është një tregues i rëndësishëm i angazhimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit, i cili është një element kryesor për përparimin në rrugën drejt integrimit në BE,” tha nga ana e saj, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, raporton Tanjug, transmeton Klan Kosova.

Reklama e sponzorizuar

E pyetur nëse Thaçi do të ishte një bashkëbisedues i pranueshëm për BE-në për të vazhduar dialogun e planifikuar për korrik, Battu përsëriti se BE-ja nuk komenton procedurat gjyqësore, as nuk paragjykon vendimet e autoriteteve të Kosovës.

“Nuk i takon BE-së të zgjedhë me kë të bisedojë brenda dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Varet nga autoritetet e Kosovës që të vendosin se kush do t’i përfaqësojë më së miri interesat e tyre,” tha ajo.

Për shkak të propozim aktakuzës nga Prokurori i Specializuar,  presidenti Hashim Thaçi, anuloi tpjesëmarrjen në takimin e  planifikuar për 27 qershor në Washington.

Një samit në Paris kushtuar dialogut midis dyja vendeve pritet të mbahet në korrik, si dhe një raund bisedimesh në Bruksel, transmeton Klan Kosova.

Në këtë kohë nuk dihet kush do ta përfaqësojë Kosovën në këto takime.