Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se qeveria e re do të ndihmojë edhe më shumë bizneset e prekura nga pandemia.
Tahiri në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka folur edhe për ndihmën që kjo qeveri do t’i jep sektorit privat, përcjell Telegrafi.
“Ndihma 170 euro do të jetë, por ideja është që sektorit privat do t’iu ndërtohen masa të reja…Fillimisht do t’iu bëhet riprogramimi i borxheve tatimore. Pastaj do t’i bëjmë subvencionimin e pagave të punëtorëve bizneseve të prekura drejtpërdrejt nga pandemia. Pastaj do të bëhet subvencionimi i bizneseve që marrin punëtorë të rinj. Do të ndihmohen profesionalisht bizneset që kanë funksionuar në kushte pandemie. Rritja e subvencioneve për bujqësinë. Riprogrami i kredive bankare ekzistuese. Subvencionimi i normave interesit të kredive në sektorë të caktuar. Shtyrja e tatimeve të bizneseve. Mbulimi i 5% të kontributeve pensionale që sot paguajnë bizneset për punëtorët”.
Zëvendëskryeministri thotë se tashmë fondet janë të siguruara në këtë drejtim duke përmendur shifrën 180 milionë euro.
“Asnjëra nga këto elemente që u përmenden nuk kanë mundur të realizohen në qeverinë e shkarkuar”, tha ndër të tjera Besnik Tahiri.