Dëme materiale shkaku i vërshimeve në disa komuna, fermerët kërkojnë ndihmë

Mustafë Kosumit i janë dëmtuar të martën pothuajse të gjitha të mbjellat shkaku i reshjeve të shumta të shiut.

Pos kësaj, familjes Kosumi nga fshati Halabak i Prishtinës u janë shkaktuar edhe dëme materiale në shtëpi.

Vërshime ka pasur edhe në fshatra të tjera të Prishtinës e rajone të Kosovës, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Për këtë ka alarmuar edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, sipas të cilit në pjesën veriore e verilindore të Kosovës që nga e marta ka rrezik të vërshimeve të shpejta, por edhe të rrëshqitjes së dheut.

Kështu, Xhevat Lahu nga Rimanishta e Prishtinës thotë se janë ndier të rrezikuar sepse uji u ka depërtuar brenda shtëpive, por që zyrtarët komunalë nuk u janë përgjigjur telefonatave të tyre.

Pos shtëpive, dëme janë shkaktuar edhe në biznese të ndryshme, sikurse këtu në Hajvali, derisa, sipas pronarëve, ato janë të mëdha.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë thënë se janë duke i evidentuar dëmet.

Sipas Komunës së Prishtinës, gjendja është e menaxhueshme dhe se po bashkëpunojnë me ekipet e ujësjellësit për të intervenuar aty ku është e nevojshme.