Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes deklaratave në kuadër të adresimit të tij ndaj publikut, të hënën, synon ruajtjen e funksionalitetit aktual të shtetit dhe institucioneve të tij, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Megjithatë, ata kanë këndvështrime të ndryshme lidhur me deklaratat e presidentit, se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka, si dhe për kërkesën e tij për një unitet politik në vend.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë më 24 qershor, ka njoftuar se ka paraqitur kundër presidentit Thaçi, aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Analisti i çështjeve politike, Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë që presidenti Thaçi, lidhur me paraqitjen e aktakuzës ndaj tij, ka shprehur vullnetin për përballjen me këtë sfidë, por ka shprehur edhe nevojën për një koordinim të fuqishëm politik brenda vendit për ta ruajtur stabilitetin e institucioneve.
“Kjo për të krijuar një tranzicion të lehtë dhe ndoshta për t’u ulur dhe për të menduar përfundimisht për disa zgjidhje të mëdha strategjike, vendime strategjike për të ardhmen e Kosovës, në raport me pozicionin e saj me BE-në, me dialogun dhe kështu me radhë. Natyrisht që tani i bie barra presidentit dhe kujtdo tjetër që mund të jetë, që t’iu përgjigjet drejtë gjithë këtyre proceseve, që të lehtësojnë transferin e pushtetit dhe të rrinë anash politikës publike, në pritje të vendimit të Gjykatës (Speciale)”, tha Rashiti.
Ai shtoi që presidenti aktualisht është i cenuar në çdo aspekt nga lajmi se ndaj tij është paraqitur aktakuza dhe sipas tij, ai duhet të largohet nga prezenca publike duke folur në emër të institucioneve.
Vigan Qorrolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se janë dy çështje të rëndësishme që kanë dalë nga adresimi i presidentit Thaçi.
Sipas tij, e para është konfirmimi se ai do të japë dorëheqje në rast se aktakuza ndaj tij vërtetohet nga Dhomat e Specializuara ose në të kundërtën do të mbetet në postin e presidentit, si dhe e dyta, kërkim-falja, siç e ka cilësuar ai “e vonuar” ndaj publikut për gabimet e tij politike që nga viti 2007 e deri më sot . “Të vonuar” e quan ai edhe kërkesën e presidentit Thaçi për një unitet politik.
“Kërkesa e tij për një unitet politik dhe kërkesa e tij që ta ketë në Prishtinë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që t’i takojë të gjithë liderët politikë me një kërkesë për unifikim të skenës politike, është kërkesë e vonuar. Rama dhe Thaçi, në dy kryeqendrat respektive, në Tiranë dhe Prishtinë, janë jashtëzakonisht përçarës. Tanimë kemi një Qeveri të Kosovës, e cila është varur dhe varet nga votat e Listës Serbe dhe më herët është parë që presidenti Thaçi ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në bërjen e asaj qeverie”, theksoi Qorrolli.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar të hënën Prishtinën dhe është takuar me krerët e institucioneve më të larta të vendit, si dhe të partive politike në pushtet dhe në opozitë.
Rashiti: Thaçi nuk do të jetë pjesë e dialogut
Të dy njohësit e zhvillimeve politike, thonë që Kosova tashmë ka një president, i cili ka të paraqitur një aktakuzë për krime të luftës, e cila brenda 4 muajve të ardhshëm pritet të konfirmohet ose refuzohet nga Dhomat e Specializuara. Por, pavarësisht epilogut, sipas tyre, kjo situatë do të ndikojë në institucionin e Presidentit, por edhe në procesin e dialogut me Serbinë, i cili është paralajmëruar se do të rinisë.
Rashiti shpreh mendimin që rruga më e mirë do të ishte që presidenti të jepte dorëheqje që tani, derisa është në pritje të vendimit të gjykatës. Sipas tij, edhe ashtu, Thaçi nuk do të jetë më pjesë e asnjë procesi të dialogut dhe as konferencave të ndryshme.
“Por, takimet në Shtëpinë e Bardhë apo takimi i Parisit, i paralajmëruar për javën e dytë të korrikut, do të ndodhin pa presidentin. Aty do të shkohet me një përfaqësim sa më të lartë të nivelit politik, në emër të shtetit dhe do të diskutohet për procesin e dialogut, pa marrë parasysh zhvillimet e brendshme në Kosovë apo në raport me Gjykatën (Speciale)”, theksoi Rashiti.
Por, Qorrolli vlerëson që përderisa Thaçi të jetë në krye të Presidencës së vendit, ai nuk do t’i shmanget komunikimit me vendet partnere të Kosovës. E vetmja mundësi, sipas tij, është që Bashkimi Evropian ta përjashtojë atë nga komunikimi dhe të kontaktojë vetëm me Kuvendin dhe me Qeverinë e Kosovës.
“Thaçi ka qenë shumë thellë i përfshirë me çështjet, me administratën amerikane për marrëveshjen me Serbinë. Unë besoj që ky proces do të ndalojë. Derisa Thaçi të jetë në krye të presidencës, ai pritet, me shumë gjasë, që të ekskomunikohet nga një pjesë e botës, për shkak të dyshimeve të bazuara. Sigurisht që institucion qendror i të drejtës penale është supozimi i pafajësisë, por në diplomaci, këto çështje kanë pasoja, në mënyrë që të mos dëmtohet Kosova, por të llogariten individët ata të cilët potencialisht janë të dyshuar, por jo tërësisht shoqëria dhe e tërë Kosova”, theksoi Qorolli.
Njohësit e zhvillimeve politike theksuan se në të ardhmen mbetet të shihet se cili do të jetë formati i dialogut Kosovë-Serbi dhe se a do të përfaqësohet nga presidentët apo kryeministrat.
Sipas tyre, në rastin ideal, Kosova do të duhej të kishte një president të ri dhe të fuqishëm politik, të emëruar me konsensus të nivelit sa më të lartë në Kuvend, i cili do të shkonte bashkë me kryeministrin në takimet e nivelit më të lartë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, më 24 prill ka dërguar aktakuzën për shqyrtim me dhjetë pika, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe “të tjerë”, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Ende nuk është bërë e ditur kush bën pjesë në mesin e “të tjerëve”.